Ballkani Perëndimor mbetet një nga detyrat e Gjermanisë në politikën e jashtme. Kancelarja Angela Merkel është ndalur te Ballkani në kuadër të diskutimeve në Konventën Kombëtare të Katolikëve ku ka thënë:
"Tani, pas fundit të Luftës së Ftohtë ne kujtuam se koha e konflikteve të mëdha politike kishte kaluar. Por, shumë shpejt mësuam se kjo nuk qëndron në shembullin e luftërave në Ballkanin Perëndimor. Ende sot (Ballkani Perëndimor) është një nga detyrat tona në politikën e jashtme. Natyrisht ti duhet të negociosh më parë me ambientin përreth teje, unë kalova shumë kohë këtë javë me këtë temë që të sigurosh rendin e paqes atje. Ai është shumë i brishtë".
Angela Merkel u ndal më tej në konfliktet kufitare dhe të natyrave të tjera, që vazhdojnë të kenë me njëra-tjetrën shumë shtete ballkanike. Merkeli u shpreh e vendosur se Gjermania dhe shtetet perëndimore duhet të punojë për t'i zgjidhur këto konflikte. Sipas kancelares gjermane probleme ka si në Kosovë e Serbi, te Bosnja Hercegovina, madje dhe Sllovenia e Kroacia që ende flasin për kufijtë e tyre.