Temperaturat e ulëta pritet të na shoqërojnë deri në fundjavë. Shërbimi “Meteoalb” parashikon rritje të vlerave të termometrit pas së dielës, ndërkohë që mjekët apelojnë për kujdes të shtuar.
Rreth 11 mijë persona sipas Institutit të Shëndetit kanë kërkuar ndihmën e mjekut në një javë për shkak të infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes. Me mëngjese dhe mbrëmje të ftohta përtej normales pritet ta mbyllim këtë javë, në bregdet dhe zonat e ulëta të vendit. Vetëm pas së dielës shërbimi “Meteoalb” parashikon një rritje në vlerat e termometrit. Reshjet e borës nuk do të jenë të konsiderueshme, problematike pritet të jenë ngricat.
Ndërkohë që shërbimi “Meteoalb” parashikon që këtë dimër të kemi periudha të shkurtra me temperatura ekstremisht të ulëta, mjekët apelojnë për kujdes të shtuar.
Specialistet e Institutit te Shëndetit Publik parashikojnë shtim të të prekurve me grip në muajin janar. Dy viruset në qarkullim edhe këtë vit janë të tipit A (H 1N1) dhe (H3N2).
Aktualisht rreth 11 mijë persona kanë kërkuar ndihmën e mjekut të familjes gjatë një jave për shkak të infeksioneve respiratore, por nga mjekët kjo konsiderohet një situatë normale.