INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mesazhet vulgare nga Ben Blushi. Flet për herë të parë Mimoza Hafizi [FOTO]

Mesazhet vulgare nga Ben Blushi. Flet për herë të parë Mimoza Hafizi [FOTO]

Publikuar më: 12:14 27-11-2017

Mimoza Hafizi flet për herë të parë që prej publikimit të mesazheve vulgare që kreu i LIBRA i drejtonte. Zonja Hafizi sqaron se përse heshti në fillim të kësaj ngjarjeje. Duke e konsideruar të çekuilibruar sjelljen e Ben Blushit, Hafizi sqaron të gjithë situatën.
Mimoza Hafizi:
“Për LIBRA-n
Prej disa ditësh, miq të Libra-s, anëtarë dhe votues të saj, janë tronditur nga një mesazh tejet vulgar dhe fyes drejtuar ndaj meje prej z. Ben Blushi. Kam heshtur me kokën ulur, sepse autori ishte aleati im politik prej dy vitesh, ishte njeriu që kam besuar e mbështetur si kryetar të forcës sonë politike, ishte njeriu që vetëm 5 muaj më parë kam bërë thirrje të votohet deputet. Besimi dhe garancia që i dhashë janë tashmë peshë e rëndë në ndërgjegjen time dhe faj ndaj jush.
Por më duhet të sqaroj publikisht se ai mesazh ishte vetëm imazhi brutal i një mospajtimi parimor mes nesh. I mospajtimit të gjatë për rregullat etike të funksionimit të Libra-s. I përplasjeve për parimet politike dhe demokratike të organizatës sonë, veçanërisht pas 25 Qershorit. Asgjë nuk është e vërtetë në tymnajën e hedhur se unë paskam kërkuar një parti me dy kryetarë. Posti i nënkryetarit ekziston «mot à mot» në statutin aktual, të miratuar në mbledhjen themeluese, një vit më parë. Spekulimi me dy kryetarë ishte vetëm një shashkë për të larguar vëmendjen nga komunikimi i çekuilibruar i z. Blushi.
Në detyrën që m’u ngarkua nga Bërthama e partisë disa muaj më parë, unë propozova një paketë të vogël ndryshimesh statutore, për ta bërë më efikas funksionimin e Libra-s, pa cënuar kolegjialitetin dhe frymën demokratike. Kam insistuar të ruaj të drejtën e çdo anëtari dhe veçanërisht të njerëzve që kanë kontribuar fort, për të propozuar emrat e përfaqësuesve politikë Libra apo të kandidatëve për organet drejtuese. Që këto kompetenca të mos kthehen në asnjë mënyrë në ekskluzivitete të kryetarit apo kujtdo qoftë. Se kam dashur që Libra të mos jetë Rilindja, nga e cila kam ikur me protestë, bashkë me z. Blushi, pikërisht për arsye demokracie dhe respekti normash. Se nuk ka shtet demokratik pa parti të ndërtuara në mënyrë demokratike-ky është leksioni që realiteti ynë u lodh duke na e dhënë.
Eshtë ky qëndrim i imi i patundur, që ka prekur projektin e ri të z. Blushi për ta kthyer Libra-n në një domen të vetin personal, projekt i cili po kthjellohet çdo ditë pas 25 qershorit. Përmes ndryshimeve statutore, që kanë nxjerrë kokën në një dokument fillestar të sapo hartuar e qarkulluar nën presionin e tij, ai po tenton të përqëndrojë kompetencat në dorën e tij të vetme. Ky do të ishte dhe uzurpimi « de jure » i Libra-s.
Deklaroj para çdo anëtari, mbështetësi dhe 20 mijë votuesve tanë, se nëse kjo tentativë guxon të hidhet për votim, unë do të kontaktoj një për një çdo anëtar Libra me argumentet e duhura dhe me kërkesën që ky dokument të hidhet poshtë. Me përbuzje!
Ndërkohë, në thyerje të të gjitha normave statutore aktuale, kryetari ka bllokuar çdo funksionim normal të Libra-s. Bërthama, organi i votuar nga e gjithë anëtarësia, nuk lejohet të mblidhet prej 5 muajsh. Çdo organ legjitim i Libra-s është paralizuar. Rreth kryetarit janë mbledhur vetëm një grup i vogël njerëzish të tij të preferuar, që nuk mendojnë gjë tjetër veç si të shpallin sa më shumë armiq të brendshëm, të përjashtojnë apo largojnë personat më kontribues dhe me influence, t’i ushtrojnë presion anëtarëve të thjeshtë për të denigruar kundërshtarët, të përdorin mjetet e propagandës së partisë në funksion të interesave të grupit të tyre. Skenar që njihet përmendësh nga shqiptarët, por që tek një parti e re e saponisur është edhe më i trishtueshëm e shumë qesharak. Prej muajsh kryetari bllokon çdo përpjekje për protestë politike dhe çdo kërkesë për pozicionim të qartë të Libra-s në opozitë. Prej muajsh, sjellja e tij ndaj meje si bashkëthemeluese dhe ish-deputete, si dhe shumë anëtarëve të tjerë aktivë është tejet refraktare. Ky është dhe uzurpimi « de facto » i Libra-s.
Në këtë situatë të vështirë edhe për mua, miq të mirë më kanë sugjeruar largimin nga ajo çka mbetur prej organizatës sonë. E kam menduar gjatë, por më duket një zgjidhje e padenjë për mua që nuk i jam shmangur asnjëherë betejave për të vërtetën. As kësaj të fundit, për t’ju treguar që z. Blushi nuk përfaqëson më asgjë nga Libra që themeluam me 1 Nëntor të vitit të kaluar. Tentativa e tij uzurpuese dhe çekuilibri i tij etik po e çojnë drejt greminës projektin që ngritëm me aq mund e dashuri.
Të nderuar miq, ky është qëndrimi im por sigurisht nuk mund të jetë vetëm beteja ime. Jam në dispozicion të çdo aksioni politik që mund t’i sillte Libra-s frymën dhe parimet e fillimit, aksion që nuk i shërben vetëm kësaj force politike, por do ishte dhe një akt shprese për vendin, i cili këto ditë ka marrë edhe një mesazh të ri dëshpërues: se në Shqipëri nuk mund të lindë një politikë ndryshe.
Gëzuar festat! Të gjithë sëbashku për një atdhe më të mirë!”

moza_hafizi.png

 

Article Logic
Execution time: 0.0041170120239258