E paraplanifikuar apo një koincidencë, kjo do të mësohet në orët në vazhdim, por duket se kreu i LSI Ilir Meta dhe ai PD-së Lulzim Basha kanë intensifikuar takimet.
Sipas dëshmitarëve që kanë raportuar për SYRI.net dy politikanët e rëndësishëm kanë qëndruar sot në drekë, rreth 1 orë në një takim konfidencial në sallën VIP, të aeroportit të Rinasit.
Nuk dihet se çfarë kanë biseduar, por sipas dëshmitarëve okularë, biseda ka qenë tejet e relaksuar për të dy.
Ajo që e bën më interesant këtë lajm është edhe fakti, që u mësua pak minuta më parë se të dy ishin në pritje të avionit të linjës Tiranë-Vjenë. Kreu i PD-së dhe kreu i LSI-së, kanë hipur së bashku në bordin e avionit dhe tashmë janë në fluturim drejt Vjenës.
As nga zyra e Bashës dhe as nga ajo e Metës, nuk ka pasur ndonjë njoftim paraprak për këtë udhëtim. Në orët në vazhdim pritet të mësohet, nëse axhenda e dy politikanëve është zyrtare, apo krejtësisht private, kanë të njëjtin destinacion, apo thjesht rastësia, i ka bashkuar në aeroportin e Rinasit dhe në bordin e të njëjtit avion.