Kryeministri Edi Rama ka folur pa dorashka për koalicionin qeverisës të këtyre katër viteve me LSI.
Rama tha në emisionin Top Story se LSI ka pasur qasje praktike dhe jo strategjike ndaj koalicionit.
Sipas kryeministrit, LSI priste gjithmonë momentet e fundit dhe fundi erdhi ashtu si erdhi.
“LSI ka pasur qasje praktike dhe jo strategjike ndaj koalicionit, duke pritur gjithmonë momentet e fundit. Dhe momentet e fundit erdhën ashtu si erdhën. Unë tani iu them shqiptarëve të më ndihmojnë me një mandat të dytë të bëjmë punët që kemi për të bërë”, deklaroi Rama.
Rama gjithashtu ka sulmuar hapur Presidentin e zgjedhur dhe ish-kreun e LSI, Ilir Meta. Ky i fundit tha gjatë një takimi elektoral të LSI sot se Basha dhe Rama janë bërë si Tomy dhe Jerry.
Në lidhje me këtë, Rama tha se kjo shprehje nuk i shkon një Presidenti të zgjedhur dhe se ai nuk do ta bënte.
“Nuk mendoj se është një shprehje që i shkon një Presidenti të zgjedhur, por e mirëkuptoj. Nuk i shkon të merret me filma figurativ. Është Presidenti i zgjedhur, unë nuk do e bëja, por është zgjedhja e tij”, deklaroi Rama.