Zëvendësuesi i Armando Prengës në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Kastriot Piroli, i ka paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjen.
Në kërkesën e dorëheqjes të siguruar nga Balkanëeb, kandidati në listë arsyeton se i mbeten vetëm dy muaj mandat efektiv në parlament, por shton edhe arsyet personale, që e bëjnë të tërhiqet kështu nga mandati deputetit.
PS ka listuar 7 emra në këtë qark, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. Kur Kodheli u bë ministre, dorëzoi mandatin, duke i lënë kështu mundësinë të hynin në parlament gratë pasardhëse në listë. Merjeme Delishi dhe Mirela Neli të dyja nuk pranuan të merrnin mandatin, duke skualifikuar veten e tyre nga lista, e duke bërë deputet të tretin në listë, Arben Ndokën. Por edhe ky u dorëhoq prej akuzave të bëra ndaj tij për problemet e së shkuarës dhe mandati i kaloi Eduard Ndocajt. Emri tjetër, Ndrec Dedaj u bë kryetar i bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit.
Por as Piroli nuk mund ta marrë dot. Kjo pasi ai rezulton të ketë probleme me drejtësinë. Ndaj tij ka dy vendime të formës së prerë në vitin 2016, për veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Hipotekës së Kurbinit. Kastriot Piroli është dënuar me një vit e 6 muaj burg, që i është konvertuar me 18 muaj shërbim prove. Ndërsa herën e dytë është dënuar me 6 muaj burg, të cilin e ka shlyer me periudhën e paraburgimit. Në të dyja rastet Apeli e ka shpallur fajtor, e për pasojë Kastriot Pireli është subjekt i ligjit të Dekriminalzimit dhe nuk mund të zërë karrigen e lënë bosh nga Prenga.
Në këtë rast mandati i kalon LSI-së, dhe për pak kohë, deri në 18 qershor, deputet bëhet Petrit Zef Gjoni.