INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta mesazh për Forcat e Armatosura

Meta mesazh për Forcat e Armatosura

Publikuar më: 09:32 04-12-2017

Presidenti Meta vlerëson lart rolin dhe kontributin e ushtarakëve shqiptar, ndërsa u kërkon autriteteve dhe organeve më të larta të shtetit që të vlerësohen dhe trajtohen me kujdes në rritje.
Ai ka dërguar këtë mesazh për Forcat e Armatosura, në 105-vjetorit të krijimit të tyre në Republikën e Shqipërisë.

MESAZHI I PLOTË
Të nderuar ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. 105-Vjet më parë, vetëm pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, u krijuan Forcat tona të Armatosura. Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, si President i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam nderin e veçantë që t’ju përcjell të gjithëve ju ndjenjat e konsideratës sime më të lartë për përkushtimin dhe sakrificat tuaja në shërbim të atdheut dhe interesave tona kombëtare. Një mirënjohje të veçantë kam për të gjithë familjarët e ushtarakëve tanë, sakrificat e tyre dhe forcën që ata gjejnë për të përballuar largësinë dhe mungesën e bijve, prindërve dhe bashkëshortëve të tyre. Në këtë përvjetor të shënuar historik ne kujtojmë me respektin më të madh të gjithë ata që kontribuuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare që nga Mehmet Pash Derralla deri në ditët e sotme.
Në mënyrë të veçantë përkulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e vendit tonë. 105-Vjetori i krijimit të Forcave tona të Armatosura na gjen sot anëtarë të NATO-s. Ndaj një falënderim e mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarakët shqiptarë që kontribuojnë aktualisht përkrah forcave ushtarake të Aleancës në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, e kudo në misione ndërkombëtare. Në këto çaste, një mirënjohje e posaçme u shkon ushtarakëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me përkushtim për t’u përballur me situatën e vështirë të përmbytjeve në vend. Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe koordinimi i tyre me institucionet e tjera dhe autoritetet lokale është një garanci më shumë në ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve të pronës private dhe publike. 105-Vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Shtetit Shqiptar më jep mundësinë të konfirmoj edhe njëherë mbështetjen e palëkundur për zhvillimin dhe modernizimin e tyre. Ky moment historik më nxit, gjithashtu që të inkurajoj Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe gjithë aktorët e tjerë në vend që të vlerësojnë dhe trajtojnë me kujdes në rritje ushtarakët shqiptarë.
Gëzuar 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!
Lavdi të përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën në emër të Atdheut!
Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë, kudo ku ata shërbejnë në dobi të demokracisë, paqes, sigurisë dhe lirisë.

Article Logic
Execution time: 0.0022420883178711