INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta në Baku: Strategjia e zgjerimit të BE-së të ketë veprime konkrete, çdo vonesë plotësohet nga faktorë të tjerë

Meta në Baku: Strategjia e zgjerimit të BE-së të ketë veprime konkrete, çdo vonesë plotësohet nga faktorë të tjerë

Publikuar më: 11:52 17-03-2018

Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Global ‘E tashmja e ardhmja e Ballkanit’ e zhvilluar në Baku, presidenti Ilir Meta u shpreh se projekti i përbashkët i rajonit është integrimi në Bashkimin Europian. Kreu i shtetit edhe një herë nënvizoi se strategjia e zgjerimit të BE-së duhet të shpqërohet me veprime konkrete.

Ai theksoi se projekti europian pa zgjerimin e plotë të BE-së në rajonin e Ballkanit është një punë e papërfunduar.

“E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë.Paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit nuk mund të merret e mirëqenë. Rajoni ynë në të shkuarën ka përjetuar luftra të përgjakshme sa herë që ka shërbyer si fushë beteje për interesat e fuqive të mëdha.”

Në fjalën e tij Presidenti Meta u ndal edhe në projektin madhor TAP.

“Realizimi i gazsjellësit TAP është një kontribut jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, por edhe me impakt strategjik për interesat ekonomike dhe të sigurisë energjetike të vetë BE-së”.

Duke iu referuar çështjeve të sigurisë, Presidenti Meta, nënvizoi se zgjerimi i NATO-s me vende si, Mali i Zi dhe potencilisht Maqedonia, dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide e të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SHBA-së për rajonin e Ballkanit.

Presidenti Meta nënvizoi në fjalën e tij se fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar.

'Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu bindjen se vendet e Ballkanit nuk do të dëshironin të ishin “protagonistë” në “fushën e re të shahut gjeopolitike”, ku përfitimet e shpejta ekonomike të momentit mund të rrezikonin paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e shoqërive tona. Destinacion final i vendeve të Ballkanit është BE.

“Strategjia e re e zgjerimit e BE-së duhet të shoqërohet me veprime konkrete. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, apo vakum, do të plotësohet nga faktorët e tjerë, të cilët do të përpiqen të shfrytëzojnë frustrimin e njerëzve” – u shpreh Presidenti Meta.

Article Logic
Execution time: 0.0036518573760986