INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta në Ferras: Falenderim për të gjithë forcat e angazhuara, veçanërisht ato nga Kosova

Meta në Ferras: Falenderim për të gjithë forcat e angazhuara, veçanërisht ato nga Kosova

Publikuar më: 19:40 02-12-2017

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka qenë sot në Ferras, atje ku situata nga përmbytjet ka qenë e keqe.

Meta në këtë vizitë takoi Forcat e Armatosura dhe ato të Policisë, po ashtu dhe forcat e emergjencave nga Kosova që kanë ardhur në ndihmë të të përmbyturve.

Postim i Metës

Deklarata nga Presidenca

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ndjek nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në Ferras të Fierit

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në Ferras të Fierit për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Presidenti Meta, cili shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, z. Bardhyl Kollçaku, u takua me përfaqësues të institucioneve të angazhuara në operacionin për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.
Duke folur për mediat z. Meta falënderoi punën e bërë nga të gjitha autoritetet shtetërore në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një falënderim të veçantë Presidenti Meta bëri për mbështetjen e ardhur nga Kosova.
“Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të kapriçove të natyrës përveç problemeve që edhe ne vetë i kemi krijuar duke nënvlerësuar ligjet e natyrës. Por për fat të mirë eksperiencat e së kaluarës kanë qenë mjaft pozitive për të përballuar këtë proces për të mos pasur humbje të jetës së njerëzve, për të mos pasur as dëme serioze sa i takon gjësë së gjallë, të cilat kanë ndodhur në përmasa të mëdha në të kaluarën, – tha z. Meta. – Megjithatë, çdo përmbytje ka dëmet e saj dhe është e rëndësishme që edhe këto të evidentohen, por dua të shpreh mirënjohjen sidomos për forcat e ushtrisë që kanë bërë operacione të vështira edhe falë këtij angazhimit të tyre të policisë dhe të pushtetit vendor ne kemi një situatë më pozitive, gjë që nuk duhet të na ulë vigjilencën pasi kemi hyrë në kulmin e dimrit dhe përballë kapriçove të kohës duhet të qëndrojmë gjithmonë syhapur për arsye sepse dihen këto eksperienca”.
Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore në menaxhimin e kësaj situate.
“Janë edhe vende shumë më të zhvilluara se ne të cilat kanë vështirësi në menaxhimin e përmasave të tilla, megjithatë unë besoj se kur koordinohet mirë, kur bashkëpunohet mirë dhe kur komuniteti e vetë banorët bashkëpunojnë me autoritetet dhe me ushtrinë e policinë, situata kalon me dëme më minimale. Kështu që urime të gjithëve për këtë punë të mirë që po bëni dhe që vazhdoni ta bëni”, – theksoi Presidenti Meta.

Article Logic
Execution time: 0.0035851001739502