Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë. Aktiviteti u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare. Presidenti Meta përcolli mesazhin se harresa e historisë sjell përsëritjen e saj, por dhe keqintepretimi nxit urrejtjen
Ilir Meta: "Gjatë gjithë historisë, regjimet totalitare kanë prodhuar dhe shkaktuar dhunim të të drejtat njerëzore e mohim të dinjitetit njerëzor. Kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme. Ky kujtim gjithashtu mbështet dhe ushqen angazhimin tonë për të zhvilluar demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të luftuar shfaqjet e sotme të intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.
Vlerat e demokracisë qëndrojnë në principet themelore të saj si barazia, gjithëpërfshirja, transparenca, dhe kjo e fundit është thelbësore për viktimat e sistemit totalitar. Keqinterpretimi i historisë mund të nxisë urrejtje dhe racizëm, ndërkohë që pajtimi mund të arrihet vetëm përmes nxjerrjes në dritë të të vërtetës, nëpërmjet transparencës së fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura në këto kampe vdekjeje. Pajtimi me të kaluarën mund të arrihet vetëm duke ndarë dhe duke promovuar të gjithë së bashku, kujtimet e heronjve që sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të besnikërisë ndaj idealeve të tyre, të drejtësisë, të lirisë dhe të së vërtetës’’ ka thënë Meta.