INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta paralajmëron: Ska dekret për kryeministër nëse dhunohet vota

Meta paralajmëron: Ska dekret për kryeministër nëse dhunohet vota

Publikuar më: 15:06 13-06-2017

Ilir Meta:
“Mos i shkojë mendja njeriut të preki një votë! Se as në ëndrrën më të keqe nuk e ka parë fundin më të keq. Dhe kjo nuk është fjala e Lulëzim Bashës tek sera e tij politike, kjo është fjala e Ilir Metës!”
Ka shpërthyer presidenti i zgjedhur Ilir Meta ndaj dy liderëve kryesor politik në vend Edi Rama e Lulzim Basha. Në një konferencë për shtyp nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim Meta menjëherë pas takimit që zhvilloi me liderin e PDIU Shpëtim Idrizi lëshoj këtë paralajmërim.
Ilir Meta:
“Unë po paralajmëroj dhe po lajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, siç po punohet, mbi votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që nuk do të ketë dekret as për kryeministër as për ministër. Dekretet do të vijnë vetëm nga një proces i ndershëm zgjedhor, asgjë tjetër. Në qoftë se këtë gjë nuk e kupton njeri, do ta provojë. Përpara se të shkojmë te dekreti kemi ca punë të tjera në 25 qershor në darkë dhe në 26 qershor në mëngjes”.
I shqetësuar për votën e lirë të qytetarëve shqiptarë në 25 qershor, Ilir Meta bën këtë zgjedhje, duke i kujtuar Edi Ramës 1 milion shuplakat e vitit 2013.
Ilir Meta:
“Ata kanë dy vota. Shqiptarët kanë mbi dy milion vota dhe mbi një milion do të jenë shuplaka ndaj kësaj arrogance dhe ndaj kësaj përpjekje kriminale për të cenuar besimin e shqiptarëve te vota e lirë, te vota e drejtë, të vota e barabartë”.
Procesin e drejtë të zgjedhje, ka theksuar ish kreu i LSI, e vendosin qytetarët, të cilët sipas tij, me votën e tyre do të largojnë oligarkinë.
Ilir Meta:
“Procesin e drejtë e vendos populli shqiptar dhe rinia e Shqipërisë, e cila nga sot e deri më 26 qershor do të jetë për të mbrojtur votën e saj, kundër oligarkisë që kërkon të përzërë rininë e Shqipërisë, që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një depozitë të mbetjeve të rrezikshme të Italisë dhe të Evropës. Ta kthejë Shqipërinë në një magazinë dhe plantacion të drogës së gjithë botës. Kjo histori ka përfunduar”.
Meta i ka bërë një thirrje direkte edhe ministrit të brendshëm.
Ilir Meta:
“Me këtë rast i bëj thirrje edhe Ministrit të Brendshëm, që të marrë në kontroll drejtimin e Policisë së Shtetit, sepse sipas të dhënave të mia kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh. Elementë drejtues të policisë po bashkëpunojnë me elementë kriminalë për të bërë presione dhe shantazhe ndaj votuesve në zona të ndryshme të vendit”.

Article Logic
Execution time: 0.0035228729248047