INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta për pelegrinazh në malin e Tomorit: Kemi nevojë për vlera njerëzore

Meta për pelegrinazh në malin e Tomorit: Kemi nevojë për vlera njerëzore

Publikuar më: 17:20 22-08-2018

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka qenë ditën e sotme i pranishëm në pelegrinazhin që u zhvillua në malin e Tomorit.

Në fjalën e tij përshëndetëse Meta vlerësoi pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorrit, ndërsa foli edhe për figurën e jashtëzakonshme të Abaz Aliut, që edhe sot e kësaj dite sipas tij vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe besimtarët bektashinj.

Kreu i Shtetit e ka nisur me vargjet e Naim Frashërit për Abaz Aliun.

“Abaz Aliu zu’ Tomorr,
Erdhi afër nesh,
Shqipëria s’mbet e gjorë,
Se Zoti e desh”.
Me këto vargje gdhendi dashurinë e të gjithë shqiptarëve dhe adhurimin, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, poeti i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashëri për martirin e Qerbelasë, Abaz Aliun.
Këto vargje të cilat janë të gdhendura edhe atje lart në majën më të lartë të Malit të Tomorrit në radhë të parë janë të gdhendura në shpirtin e çdo besimtari bektashian. Ishe koha kur kërkohej një fuqi e mbinatyrshme për të përballuar të keqen, dëshpërimin, për të përballuar përçarjen dhe për të vendosur themelet e një Rilindjeje Kombëtare që do të sillte shpëtimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Ndaj dhe jo rastësisht poeti ynë i madh Naim Frashëri shkroi me kaq adhurim, pasion dhe frymëzim për figurën e mbinatyrshme të Abaz Aliut. Dhe sot e kësaj dite ne shohim me kënaqësi se madhështia e veprës të jashtëzakonshme në dobi të njerëzimit dhe të vlerave më të larta dhe të përjetshme njerëzore të Abaz Aliut i tërheq si një magnet besimtarët shqiptarë dhe nga e gjithë bota në këtë mal të shenjtë.
Bektashizmi që si devizë të tij ka pasur gjithmonë “Pa atdhe nuk ka fé” është në radhë të parë një përkushtim ndaj atdheut, ndaj kombit, është një shërbim për bashkëjetesën, për tolerancën, për bashkëpunimin në shërbim të një çështjeje më të madhe e që na bashkon të gjithëve. Ndaj ne jemi sot këtu për t’u përkulur me respektin më të thellë për të gjithë veprën që ka realizuar e vazhdon edhe sot e kësaj dite, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në Shqipëri, pavarësisht nga sfidat e shumta.
“Bota nuk u takon atyre që ngrohen, por u takon atyre që digjen”. Këto fjalë të një figure të shquar shqiptare, të shkruara pikërisht kur ishte në burg, më shkojnë ndërmend kur flasim për figurën e Abaz Aliut, të misionarit, i cili u dogj, u sakrifikua për të ndriçuar njerëzimin dhe për të ngritur në qiell vetitë dhe vlerat më të mira njerëzore, për të cilat kemi nevojë sot aq shumë. Kemi nevojë ta duam njëri-tjetrin më shumë dhe t’i japim edhe më shumë shpresë, besim dhe durim të rinjve dhe të rejave tanë në mënyrë që ata ta shikojnë të ardhmen në këto vise të mrekullueshme ku mundësitë për zhvillim janë shumë më të mëdha. Dhe për këtë na duhet t’u kthehemi gjithmonë atyre vlerave që e mbajnë një familje, që e mbajnë një komb, që e mbajnë një shoqëri të fortë, të shëndetshme dhe shpresëdhënëse sidomos për gjeneratat më të reja" deklaroi Meta.

Article Logic
Execution time: 0.0037219524383545