INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta reagon për herë të parë për protestën  e opozitës

Meta reagon për herë të parë për protestën e opozitës

Publikuar më: 18:13 20-02-2017

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka komentuar për herë të parë ditën e sotme protestën e opozitës. Gjatë konferencës së përbashkët me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i LSI-së, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve lidhur me protestën se çdo protestë paqësore dhe demokratike është diçka për t’u vlerësuar dhe veçanërisht kur kërkon garantimin e standardit të zgjedhjeve. Meta tha që kjo është një kërkesë që kërkon dialog, por sipas tij, ultimatumet janë të papranueshme.

“Nuk dëshiroj të devijoj përmbajtjen e kësaj konferencë për çështje të brendshme. Nuk dua të përfshijmë edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës në këtë çështje. Çdo protestë paqësore e demokratike, është për t’u respektuar, dhe çdo kërkesë që kërkon garantimin e standardeve më të larta të zgjedhjeve brenda të gjithë mundësive praktike që ekzistojnë, është një kërkesë që kërkon dialog, por larg ultimatumeve”, tha Meta.

PD ka kërkuar që të krijohet një qeveri teknike, duke u shprehur se nuk mund të shkojnë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Por gazetarët nuk e kanë lënë me kaq, duke pyetur edhe kreun e Kuvendit të Kosovës, nëse do të vizitojë protestuesit tek çadra e vendosur pranë Kryeministrisë. “Do të takohem me kryetarin e PD-së”, u përgjigj Kadri Veseli, por menjëherë ka ndërhyre edhe kreu i LSI, Ilir Meta.

“Do takohet me zotin Basha dhe zotin Paloka. Dhe përgjigjen e pyetjes tuaj për t’u takuar me protestuesit e keni këtu, pasi Basha është protestuesi numër 1”, tha Meta, duke u larguar më pas.

Article Logic
Execution time: 0.0036239624023438