Ish-kreu i LSI, Ilir Meta, i është kthyer me po të njëjtën gjuhë kryetarit të PS, Edi Rama, dhe atij të PD, Lulzim Basha.
Gjatë një takimi elektoral të LSI në Pukë, Meta tha se nuk është trembur nga Berisha njëherë e një kohë, jo më të trembet tani nga Tomy dhe Jerry, duke iu referuar kështu Ramës dhe Bashës.
“Këto lloj presionesh që LSI-ja nuk i ha, se nuk i ka ngrënë nga Sali Berisha njëherë e një kohë, e t’i hajë nga “Tomy dhe Jerry” sot, nuk shkojnë.
Dhe ju e dini shumë mirë që çdo demokrat, për kryeministër midis Edi Ramës dhe Petrit Vasilit, do të votonte Petrit Vasilin.
Ju e dini gjithashtu se çdo socialist midis Lulzim Bashës dhe Petrit Vasilit, do të votonte Petrit Vasilin për kryeministër.
Kështu që mesa duket… unë pata jo vetëm mundësinë të jem president i parë i propozuar nga LSI-ja, por ja që qëllojnë dhe dy gëzime bashkë, do kem mundësinë që një nga dekretet e parë të firmos Petrit Vasilin kryeministër”, tha Meta.
“LSI ka qenë në koalicion me PD-në, ka qenë edhe me PS-në, por nuk ka pasur drejtimin e qeverisë. Me respekt edhe të votës, tani ka ardhur momenti që LSI të provohet me drejtimin e qeverisë”, vijoi më tej ai.