Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim pune në Durrës me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Meta është shprehur se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, do të garantojë të ardhmen e tyre në BE.
“Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët. Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE, por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme” ka shkruar Meta në një postim në “Facebook”, ku bashkëngjitur ka shpërndarë edhe foton me Thaçin.