INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Meta uron Presidentin e zgjedhur të Francës: Shqipëria do të mbështetet te ju për integrimin në BE

Meta uron Presidentin e zgjedhur të Francës: Shqipëria do të mbështetet te ju për integrimin në BE

Publikuar më: 18:58 08-05-2017

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, njëkohësisht President i Zgjedhur Republikës së Shqipërisë, uron z. Emmanuel Macron për zgjedhjen e tij President të Republikës së Francës.

Në letrën e urimit, z. Meta thekson se me fitoren e z. Emmanuel Macron, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të intensifikohet më shumë dhe se Shqipëria mbështetet tek Franca dhe sidomos tek Presidenti i zgjedhur në rrugën e saj të integrimit evropian.

“Kam kënaqësinë t’Ju konfirmoj, se Shqipëria do të mbështetet tek Franca dhe në veçanti tek Presidenca Juaj, në përpjekjet e saj për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Evropian. Ju siguroj, zoti President i zgjedhur, se marrëdhëniet dypalëshe të miqësisë dhe të parneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen më tej dhe do të zhvillohen në fushat me interest ndërsjelltë”,- thekson ndër të tjera z. Meta në letrën e urimit drejtuar Presidentit të ri të Francës z. Emmanuel Macron.

Më poshtë teksti plotë i letrës:
Emmanuel Macron
President i Zgjedhur i Republikës Franceze,
Shkëlqesi,

Kam privilegjin e madh që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal t’Ju përgëzoj për fitoren tuaj plebishitare në garën për President i Republikës Franceze.
Fitorja juaj madhështore është shumë e rëndësishme, jo vetëm për kombin francez, por për të gjithë kombet e Evropës së Bashkuar.
Ajo riktheu shpresën dhe besimin se projekti më i madh i mbas Luftës së Dytë Botërore i paqes, bashkëjetesës e harmonisë mes kombeve, respektit të vlerave të ndërsjellta, do të mbetet projekti i së ardhmes evropiane.
Kam kënaqësinë t’Ju konfirmoj, se Shqipëria do të mbështetet tek Franca dhe në veçanti tek Presidenca Juaj, në përpjekjet e saj për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Evropian.
Ju siguroj, zoti President i zgjedhur, se marrëdhëniet dypalëshe të miqësisë dhe të partneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen më tej dhe do të zhvillohen në fushat me interes të ndërsjelltë.
Duke Ju uruar suksese në misionin tuaj të rëndësishëm, mbetem me shpresën të bashkëpunojmë ngushtë në të ardhmen për të ndarë së bashku mendimet për sfidat dypalëshe, rajonale dhe globale që na duhet të përballim sot.

Sinqerisht

Ilir META,
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
President i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë

Article Logic
Execution time: 0.0038130283355713