INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Migjen Basha: Italinë do ta vendosim në vështirësi [VIDEO]

Migjen Basha: Italinë do ta vendosim në vështirësi [VIDEO]

Publikuar më: 18:30 21-03-2017

Nëse ka një lojtar te Kombëtarja jonë që e njeh më mirë trajnerin e Italisë, Gian Piero Ventura, ai është Migjen Basha. Ishte vetë tekniku italian ai që kërkoi transferimin e Bashës te Torino, ku kanë kaluar 4 sezone së bashku.

 “Kur arrita në Torino ishte trajner Ventura. Nga Seria B u ngjitëm në A dhe vetëm sezonin e dytë u kualifikuam në Europa League. Aty shihet puna e mirë që Ventura ka bërë me lojtarë si mua, Darmian apo Immobile. Këtë ia kam borxh trajnerit dhe dua ta falënderoj sepse për ato vite të mira të karrierës. Ventura është një trajner që i pëlqen ta sulmojë kundërshtarin. Duhet të shohim edhe formacionin që ai do të përdorë. Nëse luan 4-4-2 këto janë lëvizje që i bënte edhe te Torino, por me lojtarët që ka në dispozicion Italia mund të na krijojë probleme.”

Diskutimet për taktikat e përdoruara nga Ventura, Migjen Basha i ka ndarë edhe me trajnerin De Biasi, ndërsa megjithë vlerësimin për trajnerin kundërshtar, beson se Shqipëria mund ta vendosë në vështirësi Italinë.

“Kemi biseduar me De Biasin dhe më ka pyetur për disa gjëra, për mënyrën si luanim në Torino. Ventura është një trajner që mund të ndryshojë sistemin e lojës, lojtarët apo zgjidhjet dhe duhet të kemi kujdes. Kur e ke përballë një skuadër si Italia duhet të kesh kujdes nga të gjithë. Nga mbrojtja, te mesfusha dhe te sulmuesit e tyre. Duhet të sakrifikohemi të gjithë. Në disa ndeshje jemi mbrojtur mirë dhe kemi kundërsulmuar. Kjo është forca jonë dhe kështu mund ta vendosim Italinë në vështirësi.”

Pasi konfirmoi se atmosfera në skuadrën kuqezi mbetet pozitive, pavarësisht dy humbjeve me Spanjën dhe Izraelin, mesfushori 30-vjeçar foli edhe për tifozët, që sipas tij nuk do të mungojnë. Basha komentoi edhe faktin nëse përballë Italisë, De Biasi mund të aktivizojë kryesisht lojtarët që aktivizohen përtej Adriatikut, duke qenë se ata e njohin më mirë mentalitetin dhe lojën e kundërshtarëve.

“Të them të vërtetën nuk e di nëse është penalizim për ne apo diçka e mirë që luajmë në Palermo. Nëse ndeshja do të ishte në Milano padyshim që do të kishte më tepër tifozë, megjithatë mbështetja për Kombëtaren nuk ka munguar asnjëherë dhe do ti kemi tifozët tanë. Nuk besoj që trajneri bazohet te fakti se lojtarët që luajnë në Itali duhet të jenë në fushë. Fillimisht duhet parë forma e futbollistëve dhe taktika është në plan të dytë. Forma është shumë e rëndësishme për të vendosur aty ku bazohet trajneri për taktikën e së premtes.”

Article Logic
Execution time: 0.0034408569335938