Çdo ditë në Shqipëri po sekuestrohen mijëra rrënjë cannabis sattiva. Aksionet e Policisë së Shtetit janë shtrirë në mbarë vendin, ku ka rezultuar se janë mbjellë bimë narkotike. Përgjithësisht lënda narkotike është preferuar të mbillet në tokë pa pronar, por guximi i qytetarëve nuk ka munguar që cannabis sattiva të mbjellin dhe në pronat e tyre. Ndërsa shumë parcela kanë mbetur pa pronarë dhe po hetohet për autorët, të tjerë persona janë vënë në pranga me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Në aksionin e fundit të Policisë së Shtetit të zhvilluar në Tropojë, janë gjetur e më pas asgjesuar me anë të djegies më shumë se 4 mijë rrënjë cannabis sattiva. Lënda narkotike është zbuluar në fshatin Gri, ndërsa bima narkotike ishte mbjellë në dy parcela.
Mësohet se uniformat blu kanë arrestuar edhe dy shtetas, të dyshuar për kultivimin e kanabisit.
Personat e arrestuar janë Avni Muldaka, 54 vjeç, lindur në fshatin Gri dhe banues në Elbasan dhe Gazmend Zenelaj, 42 vjeç, lindur në fshatin Markaj të Tropojës e banues në Tiranë.