Sipas asaj që thotë ‘La Gazzetta dello Sport’, Antonio Conte është zgjedhja e parë për të zëvëndësuar Gennaro Gattuso tek Milan, por ka një pengesë, e cila është beteja e tij ligjore me Chelsea. Ish-tekniku i Italisë ka qenë vazhdimisht i lidhur me rolin e trajnerit në “San Siro”, edhe para se Gatusso të kalonte nga skuadra e moshave te skuadra e parë, për të zënë vendin e Vincenzo Montella.
Sipas burimeve të shumta, Conte është sërish në shënjestrën e Milan-it pas tre barazimeve të njëpasnjëshme në Seria A, kundër skuadrave jo shumë të forta. Burime pranë tij thonë se objektivi i Conte-s në këtë kohë është fitimi i kësaj beteje dhe ta bëjë Chelsea-n t’i paguajë gjobën prej 10 milionë eurosh që ndodhej në kontratën e tij.
Ai fitoi Premier League në sezonin e tij të parë në “Stamford Bridge”, Kupën e Anglisë në sezonin e dytë, por u zëvendësua nga Maurizio Sarri kur stërvitjet para sezonale kishin filluar.