Edhe një herë tjetër, Milani i Montella-s ka treguar se nuk dorëzohet deri në minutën e fundit. Milan mes mungesa e pezullime “rrëmben” një pikë në Olimpiko në një ndeshje të dominuar nga kryeqytetasit.
Një rezultat ky që i la të pandryshuara pozicionet e dy skuadrave në renditje, të cilat mbajnë respektivisht vendin e gjashtë dhe të shtatë. Kuqezinjtë janë në kuotën e 41 pikëve, 3 mbrapa bardhekaltërve, 4 larg zonës Euopa League dhe 10 larg zonës Champions, që tani mund të konsiderohet e paarritshme për ekipin e Montella-s.
Biglia shndërroi në gol një 11-metërsh në fundin e pjesës së parë, por dhe pas këtij goli vazhdoi dominimin ndaj një Milani të cunguar në këtë takim, me mungesa të shumta.
Në pjesën e dytë, portieri kuqezi ka qenë përsëri protagonist, duke ndalur sulmet e vendasve dhe duke mbajtur në lojë ekipin e tij. Dhe pesë minuta para fundit kuqezinjtë kanë arritur të gjejnë golin e barazimit me Suso, i cili ka mposhtur Strakoshën me një goditje të saktë brenda zonës së rreptësisë. Në minutat e fundit Milan ka shkuar afër golit të dytë, por tentativat e kuqezinjve nuk kanë qenë të suksesshme.