Gianluca Di Marzio, siç vuri në dukje gazetari italian i specializuar në merkato, njofton se kuqezinjtë do të kërkojnë të sigurojnë transferimin e Rafinha, duke parë që mesfushori i Barcelonës nuk është në planet fillestare të Ernesto Valverde dhe nuk pritet të ketë më shumë rëndësi në sezonin aktual. Gazetari prestigjioz thotë se klubi italian do të kishte bërë një studim të parë dhe Vincenzo Montella, trajneri i Milanit, gjithashtu, do të kishte dhënë miratimin e tij për ardhjen e lojtarit.
Ndërkohë, vetë Rafinha dëshiron minuta në fushë, çka është thelbësore për të përmbushur qëllimin e tij, shkuarjen me Brazilin në “Botërorin 2018”. Lojtari e sheh të komplikuar që kjo të ndodhë, nëse qëndron në Barcelonë, ndaj është i hapur për të dëgjuar ofertat. Megjithatë, presidenti Josep Maria Bartomeu, kohët e fundit tha se Rafinha është një pjesë shumë e rëndësishme për Barcelonën. Natyrisht, do të ketë kohë deri në 1 shtator për të vendosur të ardhmen e mesfushorit, i cili aktualisht ende po shërohet nga një dëmtim në menisk, në gjurin e tij të djathtë, që e pësoi në prill kundër Granada.