Sulmuesi Alvaro Morata mund të përfundojë në Serie A, më konkretisht te Milani, që është gati të shpenzojë një shumë marramendëse parash për shërbimet e 24-vjeçarit. Sulmuesi aktual i Realit të Madridit është në qendër të projektit të Li Yonghong, që ka nisur kontaktet e para për arritjen e një marrëveshjeje. Vetë futbollisti e sheh me sy të mirë këtë lëvizje, por pret konfirmimin e drejtuesve të Realit, që mund të përfitojnë 60 milionë euro nga kartoni i lojtarit. Kjo është shifra e cila mund t’i bindë “Los Blancos” për të hequr dorë nga lojtari i cili kërkohet gjithashtu nga Çelsi dhe Mançester Junajtid në Premier League. Milani në fakt ka disa përparësi në garën për Moratan. Nëse do të bëhet pjesë e “Djallit”, do të jetë titullar i padiskutueshëm, pasi Baka pritet të largohet nga Milani, ndërsa Lapadula konsiderohet zëvendësues. Në sezonin para botërorit Morata do të kërkojë të luajë sa më shumë, për të qenë ai pjesë e formacionit bazë edhe në Rusi 2018. Nuk mund të anashkalohet fakti se Morata nuk do ta kishte të vështirë përshtatjen në Serinë A, pasi ka luajtur për dy sezone me Juventusin. Gjithashtu mund të ndikojë edhe jeta personale, pasi pritet të martohet në qershor në Venecia.