Jemi mësuar tanimë me problemet e pasosura që ndodhin tek Milani.
Këtë here Milani dënohet me një vit mospjesëmarrje në kupat e Europës, nëse kualifikohet në një të tillë sigurisht, në dy sezonet e ardhshme.
I pritshëm, por edhe shumë i ashpër, ky është vendimi i dhënë nga Komisioni gjykues i UEFA-s, i cili nuk ka bërë as tolerimin më të vogël ndaj shoqërisë kuqezi nga rruga “Aldo Rossi”, duke i ndëshkuar me dënimin maksimal të mundshëm.
Një goditje e tmerrshme kjo për Milanin, që detyron drejtuesit e tij t’i drejtohen Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, për të tentuar shpëtimin e së ardhmes sportive të klubit, e pse jo edhe përmbysjen e dënimit.
Argumenti? Përveçse nuk ka respektuar parametrat e kërkuara nga “Fair Play” financiar, klubi kuqezi nuk garanton së shpejti futjen brenda këtyre kornizave për shkak të mosvazhdimësisë së treguar deri më sot në çështjet e menaxhimit të klubit, e mbi të gjitha për shkak të kontratës debitore (borxhit) të klubit me fondin amerikan “Elliott”.
“Paneli gjykues i organit të Kontrollit Financiar për Klubet (CFCB), me në krye Jose Narciso da Cunha Rodrigues, ka marrë vendim në lidhje me çështjen e Milanit pas raportimit të përgjegjësit të dhomës hetimore të CFCB-së për shkelje të normave të ‘Fair Play’-t financiar, veçanërisht për shkeljen e rregullit të balancimit të bilancit. Klubi nuk mund të marrë pjesë në kompeticionin e UEFA-s për klube, në të cilin mund të kualifikohet në dy sezonet e radhës. Pra, përjashtim për sezonin 2018-2019 (ose për 2019-2020) nëse do të kualifikohet. Pas këtij vendimi mund të dorëzohet edhe rekursi në CAS-in e Lozanës”.