Miliarderi amerikan Elon Musk dëshiron të krijojë implante për trurin dhe më pas ta lidhë me smartfonin, duke pretenduar se kjo teknologji mund të bëjë të mundur telepatinë si dhe të riparojë funksionin motor te personat me dëmtime.
Shefi ekzekutiv i Tesla dhe SpaceX tha se pajisja e quajtur Neuralink do të jetë e përbërë nga një mikro çip i lidhur me 1 mijë tela me një madhësi sa 1/10 e fijes së flokut.
Ai tha se pajisja mund të ndihmojë memorien, si dhe pacientët që kanë vuajtur nga hemoragjitë cerebrale, kanceri apo paraliza. Sipas Musk, mikro-çipi mund të vendoset nga një robot i operuar nga një mjek kirurg, pasi të hapë një vrimë në kafkë jo më të madhe se 2 milimetra. Deri në 10 çipa mund të vendosen në një tru dhe procedura pritet të fillojë në vitin 2020.
Musk ka investuar rreth 100 milion dollarë për Neuralink dhe shpreson të arrijë të përdorë inteligjencën artificiale në të mirë të njerëzimit.