INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Miliona viktima: Lufta e 3-të Botërore, fare afër

Miliona viktima: Lufta e 3-të Botërore, fare afër

Publikuar më: 13:27 08-05-2017

Në një artikull të gjatë, e përjavshmja amerikane “Newsweek” është përpjekur të ndërtojë një skenar sa më të përafërt, të kostove që do të kishte shpërthimi i një konflikti të mundshëm në Gadishullin e Koresë. Në artikullin e titulluar “I çmenduri në anën tjetër të bregut”, Newsweek shkruan se në brigjet e vendit që sundohet me dorë të hekurt nga Kim Jong-un, predhat e artilerisë ruhen në një rrjet të jashtëzakonshëm tunelesh. “Dhe megjithëse shumë prej armatimeve dhe municioneve janë të vjetra, forcat amerikane të vendosura në Korenë e Jugut nuk kanë dyshim se do të ishin efektive”.

“Disa komandantë të SHBA kanë frikë se Veriu mund të vendosë një kokë bërthamore në një raketë. Admirali Bill Gortney, kreu i Komandës Aerohapësinore të Amerikës së Veriut, i tha Kongresit dy vjet më parë se ai beson që Pheniani mund të përdorë një raketë me rreze të mesme, për të dërguar një ngarkesë bërthamore, që do të thotë se mund të godasë Korenë e Jugut ose Japoninë. Vlerësimi i inteligjencës është se Veriu tani është 18-36 muaj larg nga futja e një mbushje bërthamore në një raketë, që mund të arrijë në Los Anxhelos”.

Sipas Newsweek, “realiteti i zymtë është se një sulm parandalues, kundër raketave të Koresë së Veriut ose objekteve bërthamore – apo të dyja bashkë – mund të shkaktojë luftë. Nëse vjen dita kur Trumpi do të besojë se ai nevojë të urdhërojë një goditje parandaluese kundër objektivave në Korenë e Veriut, për të eleminuar një kërcënim të drejtpërdrejtë, SHBA nuk do të jetë në gjendje të eleminojë të gjithë frontin e artilerisë së Koresë së Veriut, të vendosur pranë kufirit”.

Pra, një sulm amerikan, mund të shkaktojë edhe Luftën e dytë Koreane.

Si do të ishte një tjetër konflikt i armatosur në gadishullin korean? Gjatë Luftës Koreane, e cila zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953, rreth 2.7 milion koreanë vdiqën, së bashku me 33,000 amerikanë dhe 800,000 kinezë. Në çdo skenar të një sulmi parandalues sot, SHBA do të përpiqej ta mbante sulmin të kufizuar. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni do të sinjalizonte në çfarëdo mënyre që të mundej – ndoshta nëpërmjet aleatit të Veriut në Pekin – se nuk kërkon një luftë më të gjerë.

Arsenali i Koresë së Veriut i raketave me rreze të mesme mund të përshtatet me koka me mbushje bërthamore, dhe të lëshohen drejt Japonisë, duke vonuar përforcimet e SHBA. Dhe këto përforcime do të nevojiten urgjentisht në Gadishullin Korean, meqenëse SHBA-të kanë vetëm 28,000 trupa në Korenë e Jugut dhe forcat e armatosura të Jugut, ndonëse shumë më mirë të stërvitura e të pajisura se ato të Veriut, përbëhen nga 660,000 burra, më shumë se 300,000 më pak se sa të Koresë së Veriut.

Por Newsweek tërheq vëmendjen se një konflikt i tillë nuk do të mund të jetë një shëtitje një-javore, si ndodhi në 1990-ën me sulmin kundër Sadam Huseinit në Irak, kur forcat e tij u shpërndanë si pëllumba të trembur nëpër shkretëtirë. Në Pentagon mendojnë se do të ishte një konflikt 4-6 mujor, me shumë luftime dhe shumë të vdekur. Në vitin 1994, kur Presidenti Bill Klinton parashikoi përdorimin e forcës për të goditur programin e armëve bërthamore të Veriut, komandanti i atëhershëm i forcave të SHBA, Gary Luck, i tha kryekomandantit të tij se do të rezultonte në një luftë në gadishull. Me 1 milion të vdekur dhe rreth 1 trilionë dollarë dëme ekonomike.

Por pasojat do të ishin shumë më të rënda sot, duke ditur se SHBA beson që Pheniani ka 10-16 armë bërthamore.

Një ish-analist i CIA-s, vëren se, duke pasur parasysh ritmin e shpejtë të testimeve bërthamore të Koresë së Veriut në vitin 2016, dhe tendencën e regjimit për të vënë në provë shumë herët presidentin e ri, mund të mos duhet shumë kohë përpara se Trumpi të marrë raporte për një tjetër raketë të nivelit të lartë, të Koresë së Veriut ose një test bërthamor. Në atë pikë, gjërat mund të bëhen shumë të rrezikshme. Një tjetër provë raketore nuk përbën një krizë të tillë, sa për të shkaktuar një tjetër Luftë Koreane. më shumë, kjo gjë do t’i jepte SHBA më shumë hapësirë manovrimi me Kinën, për të shtrënguar rrethimin ekonomik ndaj Phenianit.

Por analisti i CIA-s shton se “secila prej palëve mund të keqinterpretojë qëllimet e tjetrës, duke nxitur tensione, intensifikuar nevojën për përshkallëzim, dhe rritjen e riskut për llogaritje të gabuara. Dhe në fund, mund të kemi përsëri luftë në Gadishullin Korean”.

Në këtë pikë jemi tani. Si alternativë për të bërë kërcënime, disa diplomatë aktualë dhe të mëparshëm, analistë të inteligjencës dhe oficerë ushtrie, thonë se zvogëlimi i tensioneve kërkon vendosjen e qëndrueshme të pajisjeve ushtarake shtesë në rajon, si dhe një aplikim në prapaskenë të muskujve të diplomacisë kineze.

Article Logic
Execution time: 0.0036740303039551