‘Greqia së shpejti do të zgjerojë ujërat e veta territoriale’ kështu ka pohuar Ministri grek i mbrojtjes, Panos Kammenos. Sipas tij, kjo do të ndodhë me njohjen e zonave ekskluzive ekonomike.
“Jemi në një moment të historisë së kombit, që atdheu ynë po rritet. Shumë shpejt do të zgjerojmë ujërat tona territoriale, me njohjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike, shfrytëzimin e pasurisë nënujore dhe atdheu ynë do të kalojë në një epokë të re”, tha Kammenos.
Sipas analistëve, Kammenos nuk sqaroi se për cilat zona ekskluzive ekonomike e kishte fjalën.
Në fakt, negociatat për ZEE po vazhdojnë vetëm me Shqipërinë. Në kohën që me Egjiptin mbeten shumë çështje për t’u zgjidhur, ndërsa me Turqinë janë pezulluar. Në fillim të këtij viti, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, kishte deklaruar se pala shqiptare pranon që ajo greke t’i shtrijë ujërat territoriale në 12 milje, por nuk kishte saktësuar se kur do të ndodhë kjo. Por këto reagime u fashitën pas sqarimit se shtrirja deri në 12 milje e detit territorial është një e drejtë që ofrohet nga marrëveshja ndërkombëtare e Montego Bay-it dhe mund të zbatohet në mënyrë të njëanshme nga çdo shtet, pra edhe nga Shqipëria.