Ministria e Bujqësisë pajisi sot me motora veterinerët zyrtarë në të gjithë vendin. 58 motorë do të përdoren nga veterinerët për t’u ofruar shërbimin e tyre fermerëve blegtorëve apo edhe çdo ferme. Ministri Edmond Panariti e konsideroi një ditë të rëndësishme për Shërbimin Veterinar, pasi sipas tij tani veterinerët zyrtarë do ta kenë shumë më të lehtë përballimin e situatës, në lidhje me vaksinimin e kafshëve të paprekura nga Dermatoza Nodulare, si dhe profilaksinë, mjekimin e të tjerave. “Me këtë shërbim të ri, Veterinerët Zyrtarë do të jenë më në gjëndje që t’u përgjigjen nevojave të fermerëve e blegtorëve”- deklaroi Panariti.
“Kjo është pjesë e reformës së Shërbimit Veterinar, e cila po përqendrohet tashmë në krijimin e Stacioneve Veterinare, njëkohësisht edhe në rritjen e kapaciteteve gjurmuese dhe parandaluese të sëmundjeve infektive”, theksoi ministri. Panariti sqaroi edhe mënyrën sesi do të realizohet kompesimi i gjedhëve të dëmtuara nga dermatoza nodular. “Përsa i përket kompensimit të të dëmtuarave, tashmë fondi prej 3 milionë dollarësh është miratuar, ndërkohë që po nis riverifikimi e riidentifikimi, kontrolli i të gjithë dokumentacionit të të dëmtuarava, numri i të cilave deri tani shkon në rreth 1100 krerë. Të gjitha do të kompensohen me kafshë të gjalla, të rracave të përzgjedhura. Në fillim të muajit janar, unë do të mirëpres në Shqipëri një grup specialistësh nga Zvicra, me të cilët do të përcaktojmë rracat e zgjedhura sipas krahinave e zonave të vendit tonë ku ka pasur dëme. Më pas, do të blihen kafshët e gjalla dhe do të nisë shpërndarja”, deklaroi kreu i Bujqësisë.