Prej më shumë se 1 muaji në vendin tonë shkollat po qëndrojnë të mbyllura.
Si një masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, qeveria vendosi që institucionet arsimore të mbyllen dhe ende nuk dihet se kur do të kthehemi në normalitet.
Gjatë kësaj periudhe nxënësit dhe studentët kanë bërë mësim online megjithatë problemi më i madh qëndron tek maturantët dhe studentët.
Megjithatë, nëpërmjet një interviste për “EuronewsAlbania” ministrja Besa Shahini ka sqaruar edhe një herë se si do të veprohet.
Ajo tha se viti shkollor do të lihet në zgjedhje të vetë nxënësve apo studentëve.
Pra, nëse dikush dëshiron të përsërisë vitin mund ta bëjë këtë gjë pa u penalizuar.
Edhe maturantët mund të zgjedhin të përsërisin vitin.
“Të gjithë nxënësit do ta mbyllin vitin shkollor nëse duan. Nëse nxënësit duan ta përsërisin vitin shkollor apo duan ta bëjnë maturën vitin tjetër, do ta kenë këtë mundësi pa u penalizuar. Pra do të jetë një vendim që e marrin familjet duke parë dhe situatën sa kanë arritur të nxënë fëmijët e tyre, ku duan të studiojnë. Mund ta marrin këtë vendim që të mbesin për vitin tjetër, ta përsërisin dhe një herë vitin pa u penalizuar, pa shkruar në dëftesa apo diplomë që janë përsëritës”, shprehet Shahini.
Më pas ajo shton se këtë vit provimet e maturës do të jenë më të lehtë dhe në tezë nuk do të përfshihen mësimet që kanë marrë nga shtëpia.
“Duam që maturantët që kanë dëshirë të studiojnë jashtë të aplikonë në kohë, pra kjo do të thotë që provimet duhet të mbyllen brenda qershorit. Këto nuk janë vendime të marra, por skenarë që po diskutohen dhe po ndryshoja nga dita ditës duke shtuar elemente të reja. Po shohim edhe modelet përreth nesh në mënyrë që t’i aplikojmë në vendin tonë. Provimi i maturës do të jetë më i lehtë këtë vit. Nuk do të përfshiehn leksionet që janë marrë nga shtëpia,” përfundoi Shahini