INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Miqësoret e luksit: Fitojnë Italia dhe Spanja, Suedia përmbys Portugalinë

Miqësoret e luksit: Fitojnë Italia dhe Spanja, Suedia përmbys Portugalinë

Publikuar më: 09:49 29-03-2017

Jo vetëm Shqipëri – Bosnjë. Dita e djeshme pa në fushë disa nga kombëtaret e mëdha të Europës, që provuan forcat në disa përballje luksi mes njëra-tjetrës.

Italia ka mposhtur Holandën në miqësoren e zhvilluar sonte në Amsterdam. Italianët fituan 2 me 1, ndërsa të tre golat u shënuan në pjesën e parë. Romagnoli i dha epërsinë vendasve duke shënuar gabimisht në portën e tij në minutën e dhjetë, ndërsa vetëm një minutë më pas Eder barazoi gjithçka. Leonardo Bonucci në minutën e 32-të shënoi për fitoren e italianëve.

Në miqësoren tjetër të luksit, Spanja konfirmoi formën e shkëlqyer duke triumfuar 2-0 në Francë. Meritë të veçantë ka Zherard Delofeu, i cili, vetëm një minutë pasi u fut në fushë (68’) fitoi një penallti që u shndërrua në gol nga David Silva, ndërsa në të 77-n realizoi golin e dytë.

Kjo ndeshje pati si protagonist edhe teknologjinë për përcaktimin e pozicionit jashtë loje. Antuan Grizman i dha epërsinë Francës tri minuta pas pushimit mes pjesëve dhe goli u cilësua i rregullt nga anësori. Por, pas protestave të spanjollëve, teknologjia i erdhi në ndihmë arbitrit dhe goli u anulua për pozicion jashtë loje të Kurzavës. Kurse te goli i dytë i miqve, të zotët e shtëpisë pretenduan se Delofeu ishte në pozitë të parregullt, mirëpo teknologjia edhe kësaj here e ktheu vendimin duke e cilësuar golin si të rregullt.

Ndërkohë nuk fiton dot Portugalia, që befasohet 3-2 nga Suedia në shtëpi. Kampionëve në fuqi të Europës nuk u mjaftoi epërsia e dyfishtë falë golit të Kristiano Ronaldos (18’) dhe autogolit të mbrojtësit Grankvist (34’). Suedezët përmbysën gjithçka në pjesën e dytë me dopietën e Klasonit (57’, 76’) dhe autogolin e Zhoao Kanselos në shtesë (93’).

Article Logic
Execution time: 0.003803014755249