Miqësorja e fundit e Kukësit në tokën austriake ka rezultuar në një “masakër” sportive. Kampionët e Shqipërisë pas disfatës së rëndë në takimin e parë ndaj Wolfsberger dhe 2 fitoret që pasuan kundër Botosanit dhe Rostovit, u dorëzuan me një rezultat tenistik përballë Dinamos së Moskës.
Rusët kaluan në epërsi pa u plotësuar një minutë lojë me autor shqiptaro-maqedonasin Fatos Beqiraj. Ky i fundit mposhti Kolicin pasi fitoi duelin si me Serranon po ashtu edhe me Shametin.
Goli i dytë për ekipin rus erdhi në minutën e 8-të dhe ai që shënoi ishte Sapete. Pasi u ndëshkua dy herë skuadra e Gjokës arriti të vendoste një lloj ekuilibri dhe nuk pësoi më deri në mbyllje të fraksionit fillestar.
Megjtihatë situata degradoi në segmentin e dytë. Lutsenko krejtësisht i pambuluar e dërgoi në 3-0 rezultatin. Në minutën e 73-të erdhi edhe goli i 4-ët me Temnikov. Plotësisht inekzistent ekipi blu që në këtë rast kishte veshur fanellën e verdhë dhe 10 minuta nga mbyllja u ndëshkua sërish.
Kuzmin me portën e zbrazur nuk e pati të vështirë të thyente Kolicin. Goli i 6-të nuk mund të mungonte dhe me mbrojtjen e Kukësit në stilin “balerin” Teminkov i fiksoi shifrat përfundimtare në 6-0.
Një paraqitje që ndez me forcë sinjalet e alarmit për kampionët e Shqipërisë një javë përpara sfidës kundër Sheriff Tiraspolit në Ligën e Kampionëve.