Një shqiponjë nga Plava dhe Gucia dhe një këngë me çifteli. Kreu i shtetit duket se i ka shijuar në maksimum këto dy krahina, që i konsideron si parajsë e vërtetë e prekshme dhe krenaria e alpeve.
‘’Plava dhe Gucia është një parajsë e vërtetë, e prekshme, njerëzore dhe natyrore. Është një parajsë, e cila mund t’i sigurojë një të ardhme shumë më të mirë këtij komuniteti jashtëzakonisht patriotik, i cili edhe në kushte të vështira ka ditur të mbijetojë, qëndrojë dhe të ruajë traditat më të mira kombëtare dhe njerëzore të kësaj treve.
Vizitova kullën 200-vjeçare të Çelajve dhe vërtetë jam shumë i kënaqur për këtë eksperiencë që përjetova atje sepse mu duk sikur vërtetë vizitova dhe u ktheva në historinë e gjithë kësaj treve të lavdishme, aq të pasur me vende historike dhe me kaq shumë monumente natyrore. Plava dhe Gucia ka një peizazh kaq të mrekullueshëm saqë vërtetë unë besoj që në pak vite një ndryshim edhe më i madh ekonomik e social do të vijë këtu për të gjithë komunitetin. Jam i lumtur që më në fund edhe rruga nga Tirana në Plavë e Guci është më pak se tre orë. Këtë duhet t’ua themi të gjithëve në Shqipëri pasi me të drejtë shumë shqiptarë nga Shqipëria, të cilët i duan malet, turizmin malor shkojnë prej vitesh në Kolashin, Zhablak, Mavrovë. Absolutisht unë jam i sigurt se kur ata të vijnë në Plavë e Guci do ta kenë të vështirë që të shkojnë në një vend tjetër’’ ka thënë Meta.
Në kuadër të kësaj vizite ai mori pjesë dhe përshëndeti tubimin tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018”, që u zhvillua në Vuthaj të Plavës e Gucisë, në Mal të Zi, me një pjesëmarrje të shumtë të shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe trojet e tjera ballkanike të banuara nga bashkëkombësit tanë, shumë prej të cilëve kishin ardhur nga Diaspora, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa, Kanadaja apo edhe nga Australia e Zelanda e Re.
Presidenti Meta u nderua nga drejtuesit dhe organizatorët e Festivalit Folklorik Kombëtar si dhe nga Shoqata “Krenaria e Alpeve shqiptare” me titullin e veçantë vlerësues e simbolik “Mirënjohje” për “Demokratizimin dhe integrimin e shqiptarëve në rajon".