INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mishi i kuq nxit reagimin imunitar që shkakton kancerin

Mishi i kuq nxit reagimin imunitar që shkakton kancerin

Publikuar më: 19:37 17-12-2016

Mishi i kuq është ndërlidhur me kancerin për dekada të tëra, me hulumtimet që sugjerojnë se ngrënia e sasive të mëdha të mishit të derrit, viçit ose qengjit e rrit rrezikun e tumoreve vdekjeprurëse.

Por, për herë të parë shkencëtarët mendojnë se e dinë se çfarë e shkakton efektin. Trupi, me sa duket, e sheh mishin e kuq si një pushtues të huaj dhe e ndez një reagim toksik imunitar.

Hulumtuesit kanë qenë gjithmonë në mëdyshje rreth asaj se si gjitarët e tjerë mund të hanë shumë mish të kuq pa pasoja shëndetësore negative.

Tani ata kanë zbuluar se mishi i derrit, viçit dhe qengjit e përmban një sheqer që prodhohet natyrshëm nga mishngrënësit e tjerë, por jo njerëzit.

Kjo do të thotë se kur njerëzit hanë mish të kuq, trupi e shkakton një reagim imunitar ndaj sheqerit të jashtëm, duke prodhuar antitrupa të cilat ndezin inflamacion, dhe eventualisht kancerin.

Tek mishngrënësit e tjerë, sistemi imunitar nuk aktivizohet, sepse sheqeri - i quajtur Neu5Gc - është tashmë në trup.

Shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë kanë dëshmuar se minjtë që ishin inxhinieruar gjenetikisht për të mos prodhuar Neu5Gc në mënyrë natyrale, zhvilluan tumore kur u ishte dhënë ky sheqer për ta konsumuar, trnsmeton koha.net.

"Kjo është hera e parë që kemi treguar direkt se, duke e imituar gjendjen e saktë në njerëz, rriten kanceret spontane në minj," tha dr. Ajit Varki, profesor i Mjekësisë dhe Medicinës Qelizore dhe Molekulare në Universitetin e Kalifornisë.

"Prova e fundit në njerëzit do të jetë shumë më e vështirë për t’u arritur.

"Ky punim gjithashtu mund të ndihmojë që të shpjegohen lidhjet e mundshme të konsumit të mishit të kuq me sëmundje të tjera të shkaktuara nga inflamacioni kronik, si arteroskleroza dhe diabeti i tipit 2.

"Sigurisht, sasitë e moderuara të mishit të kuq mund të jenë një burim i të ushqyerit të mirë tek të rinjtë. Shpresojmë se puna jonë përfundimisht do të çojë në zgjidhje praktike për këtë dilemë," shtoi ai.

Mishi i kuq është një burim i mirë i proteinave, vitaminave dhe mineraleve, por gjithnjë e më shumë hulumtime sugjerojnë se sasitë e tepërta janë të këqija për shëndetin afatgjatë.

Ekspertët e shëndetësisë rekomandojnë të mos hahet më shumë se 70g në ditë, ekuivalentja e tre fetave të proshutës, një kotlet qengji ose dy feta pjekje viçi në ditë.

Një studim i publikuar nga Universiteti i Harvardit në qershor sugjeroi se dieta me shumë mish të kuq e rrit rrezikun e kancerit të gjirit tek gratë për 22 për qind.

Në vitin 2005, një studim zbuloi se personat të cilët kishin ngrënë rregullisht 160g mish të kuq në ditë kishin rrezik 1/3 herë më të lartë të kancerit të zorrëve.

Personi mesatar në Britani të Madhe konsumon 70g mish në ditë (88g në mesin e meshkujve, 52g në mesin e femrave), por 33 për qind hanë më shumë se 100g në ditë.

Hulumtimet e mëparshme sugjeronin se një pigment në mishin e kuq mund ta dëmtojë ADN-në e qelizave në mukozën e sistemit të tretjes.

Hulumtimi i ri është publikuar në internet në Proceedings of the National Academy of Sciences.

Article Logic
Execution time: 0.0036451816558838