INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Misteri i përgjimeve,  kush dhe kë po përgjon? [VIDEO]

Misteri i përgjimeve, kush dhe kë po përgjon? [VIDEO]

Publikuar më: 16:44 14-05-2016

Historia e përgjimeve shpesh shoqërohet me debate të ashpra. Shpesh politika shpërthen në debate të ashpra lidhur me këtë çështje dhe siç ndodh rëndom opozita është ajo që ankohet se përgjohet nga struktura të palegjitimuara siç ndodhi në 2011, kur socialistët akuzuan Ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe se përgjonte eksponentë të opozitës përmes Shërbimit Inteligjent të Ushtrisë. Një debat po vlon aktualisht lidhur me një pajisje të zbuluar nga SHISH në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të cilën Prokuroria ka tentuar ta sekuestrojë dhe për të cilën zyrtarë të policisë thonë se ajo përdoret për trajnim nga ekspertët italianë të Interforze. Kjo ngre disa pikëpyetje dhe dyshime.

Lajmi se Policia e Shtetit po kryen përgjime, u përcoll me shqetësim në media. Hetim të këtij informacioni kërkoi edhe Presidenti i Republikës Nishani.

Nishani: Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për tu verifikuar sesa qëndron si lajm, sesa i vërtetë është, mbetet për tu hetuar nëse rezulton i vërtetë.

Pak ditë më parë në një takim konsultativ me kompanitë celulare, Ministri i Brendshëm Tahiri foli për një projektligj që do ta bënte të ligjshëm përgjimin nga Policia e Shtetit, gjë që aktualisht sipas ligjeve shqiptare kryhet ekskluzivisht nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Publikisht Tahiri mohoi se ishte duke tejkaluar kompetencat.

Tahiri: Patëm një konsultë me operatorët telefonikë sa i takon disa ndryshimeve në ligjin për komunikimet eleketronike, të cilat do të mundësonin një akses më të drejtëpërdrejtë të Prokurorisë, Policisë dhe Agjencive të tjera ligjzbatese për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike.Nuk ka lidhje ky me kompetencat e asnjë institucioni, ndryshimet që po konsultojmë kanë lidhje me marrëdhënien që kanë Agjencitë ligjzbatuese me operatorë, kryesisht privat por edhe publik në fushën e hetimeve penale. Nuk jemi në fazën, kjo nuk është as detyra dhe as kompetenca jonë, që të propozojmë ndryshime në pikëpamje të ndryshimit të kompetencave të institucioneve. Nuk është kjo.

Por faktet komplikohen edhe më shumë kur Prokuroria nisi zyrtarisht hetim për këtë çështje dhe kërkesës së saj për të sekuestruar pajisjen në fjalë Policia mësohet se i është përgjigjur se pajisjen nuk e ka më dhe se mjeti përgjues që sipas Policisë së Shtetit po përdorej për arsye trajnimi i është kthyer misionit Interforze.

Disa pikëpyetje kërkojnë ende një përgjigje zyrtare.

Përse Policia e Shtetit duhet të bëjë përgjime qoftë edhe për trajnim?

Çfarë ka ndodhur me ato përgjime, ku ndodhen dhe kush i disponon?

Dhe a duhet të marrë Policia e Shtetit kompetenca ligjore për të përgjuar për arsye hetimi?

Kur PS ishte në opozitë në vitin 2011 e ka denoncuar ashpër ekzistencën e një pajisje përgjimi nga Ministria e Mbrotjes, duke këmbëngulur se përgjimi është kompetencë e SHISH dhe asnjë strukture tjetër.

Article Logic
Execution time: 0.0034580230712891