INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Modeli i ri i kursit të makinës. Ja rregullat…

Modeli i ri i kursit të makinës. Ja rregullat…

Publikuar më: 09:36 25-04-2016

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm për tu pajisur me lejen e drejtimit, çdo kandidat që plotëson kriteret dhe e mbyll me më pak se 5 gabime provimin e teorisë, do të japë dy provime praktike. Udhëzimi, i ri propozon që për patentat e kategorisë B, kandidatët kanë kohë 6 muaj për të fituar provimet e praktikës, duke filluar nga data e lëshimit të autorizimit.
Llogaritja e kësaj date bëhet duke filluar nga data e lëshimit të Autorizimit për praktikë dhe duke shtuar ditët kalendarike të përcaktuara. Ndërkohë, kandidati duhet të ketë kryer edhe ushtrimet e praktikës prej 6 orësh, të ndara këto në 3 grupe (2 orë gjatë natës, 2 orë në rrugë urbane dhe 2 orë në autostradë). Bazuar në programet, të cilat do të jenë të fokusuara te sjellja në trafik, kontrollin teknik të mjetit dhe manovrat në rrugë, kandidatët kanë 5 mundësi, të cilat do të shfrytëzohen për mbetësit me hapësira 5-ditore.
Në rast se kandidati nuk e fiton provimin e praktikës me paraqitjen e tij deri në 5 herë prova praktike, ose kalohet afati i vlefshmërisë së autorizimit të praktikës, atëherë ai duhet të rifutet në provimin e teorisë, pa e përsëritur kursin e teorisë,vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së autorizimit përkatës”, thuhet në nenin 22 të udhëzimit. Për të dhënë provimet e praktikës, kandidatët duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë) dhe autorizimin.

Programi i praktikës:
Përgatitja dhe kontrolli teknik i automjetit me qëllim sigurinë rrugore
Sjellja në trafik
Manovra të veçanta për t’u testuar

Si ndryshon testimi sipas temave:
Testi teorik do të përbëhet nga 40 pyetje të pavarura, dy pyetje për çdo temë të rëndësishme dhe një pyetje për çdo temë tjetër, të cilat bien në mënyrë rastësore. Koha që propozon udhëzimi është 40 minuta, ndërkohë që kandidatët që do të futen për të dhënë testimin e informatizuar, nuk duhet të bëjnë më shumë se 4 gabime. Ndërkohë për kategorinë e patentave AM, testi do te këtë 30 pyetje dhe kandidatët nuk duhet të kalojnë 3 gabime.

Temat me 2 pyetje:
1. Sinjalet e rrezikut;
2. Sinjalet e ndalimit; 3. Sinjalet e detyrimit;
4. Sinjalet e përparësisë;
5. Sinjalet horizontale dhe sinjalet që tregojnë pengesa;
6. Sinjalet semaforike dhe të policëve të trafikut;
7. Kufijtë e shpejtësisë, rreziku në trafikun e ngarkuar, sjellja në kalimet në nivel;
8. Distanca e sigurisë, parimet më të rëndësishme në lidhje me respektimin e një distance të sigurt mes mjeteve, distancat e frenimit dhe zotërimi i rrugës në gjendje të ndryshme si dhe të kushteve të motit, faktorët e rrezikut të drejtimit që kanë lidhje me kushtet e ndryshme të rrugëve, veçanërisht nëse ato ndryshojnë sipas motit dhe kohës, ditë apo natë;
9. Rregullat e qarkullimit të mjeteve; Pozicioni i mjeteve në karrexhatë; ndryshimi i drejtimit të lëvizjes (kthimi); sjellja në prani të funeraleve, kortezheve dhe kolonave ushtarake; sjellja në kryqëzime; rregullat e përparësisë; detyrimet kundrejt mjeteve të policisë dhe të urgjencës; rreziqet e lidhura me manovrat, me drejtimin e tipeve të ndryshme të mjeteve dhe me fushëpamjen e kufizuar të drejtuesit të mjetit.
10.Shembuj të përparësisë (rregullat e përparësisë në kryqëzime);
11.Rregullat e parakalimit;
12.Rregulla të ndryshme si: zënia e karrexhatës; sinjalizimi i mjetit të ndaluar; rregullat e qarkullimit në autostradë dhe rrugë interurbane kryesore; transporti i udhëtarëve;ngarkesa e mjeteve; panelet mbi mjete; tërheqja e mjeteve në avari; tërheqja e rimorkiove.
13.Sistemet e pajimit; funksioni dhe përdorimi; rripat e sigurimit dhe sistemet e fiksimit për fëmijët; kasko mbrojtëse dhe veshjet e sigurisë;
14.Sjelljet për parandalimin e aksidenteve rrugore; sjellja në rast të aksidenteve rrugore, kujdesi gjatë drejtimit të motorëve;
15.Kuptimi, gjykimi dhe vendimmarrja, në veçanti koha e reagimit, si dhe ndryshimet në sjelljen e drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit, drogës dhe medikamenteve mjekësore, gjendjes mendore dhe lodhjes.

Article Logic
Execution time: 0.0036602020263672