LSI ka mbledhur pasdite Komitetin e vet drejtues.Në fjalën e saj, kryetarja Monika Kryemadhi ka thënë se vendi ka nevojë për një opozitë të fortë, pa kompromis. E lidhur me këtë, LSI ka shprehur gadishmërinë të bashkëpunojë me të gjitha partitë e interesuara, pa dallim krahu politik. Kryemadhi foli për një front të gjerë opozitar, duke dhënë shenjën e parë për një bashkëpunim të mundshëm me liderin demokrat Lulzim Basha.
“LSI do të ‘përqafojë” një manifest të ri politik. Një politikë që prodhon mirëqenie për familjet e shqiptarëve. Shqipëria ka nevojë akute për një opozitë të fortë, për një opozitë ballore, pa kompromis, të aftë për të qeveri. Koha nuk pret për të krijuar një front të përbashkët opozitar me të gjithë faktorët politikë, të majtë dhe të djathë, shoqëri civile, botë akademike. Ne jemi të hapur dhe nuk kemi asnjë lloj kompleks për sa i përket bashkëqeverisjes për një front të përbashkët opozitarë”, tha ajo.
Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Kryemadhi ngriti alarmin për situatën kriminale në Shqipëri që veç policisë ka nisur të kapë edhe sistemin e drejtësisë.
“Krimi është ulur këmbëkryq në tepsinë e pushtet. Ne jemi në opozitë me keqqeverisjen dhe me krimin e organizuar që po kap strukturat e shtetit, policinë e shtetit. Ne flasim për drejtësi të korruptuar, por sot diskutojmë për drejtësi të kriminalizuar. Të zgjohet çdokush, alarm që bie fort për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së tha se kjo parti do të ketë një program politik që do të fokusohet në çështjet e sigurisë dhe rendit publik, për të mos patur me policë kriminelë. Sipas saj, vendit i duhet një ekonomi gjithëpërfshirëse duke luftuar varfërinë dhe duke hapur të vendeve të reja të punës. E po ashtu, duhet një shëndetësi e përballueshme për të gjithë.