INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Monika Kryemadhi ironizon programin e PS-së: I shkruar keq e me lajthitje

Monika Kryemadhi ironizon programin e PS-së: I shkruar keq e me lajthitje

Publikuar më: 18:21 12-09-2017

Në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit, Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka komentuar programin e Partisë Socialiste të prezantuar nga kryeministri Rama dhe ministrat.

Kryemadhi e ka quajtur një fletëpalosje me gabime e lajthitje si dhe tha se kryeministri është kujdesur t’i qepë një kostum të ngushtë programit që e quan qeveri të vogël, por sipas saj në program nuk ka asgjë konkrete.

“Nuk kanë pasur kohë të shkruajnë. Ky është një program batutash të shkruar keq, me gabime e lajthitje. Kryeministri është kujdesur që programit t’i qepë një kostum të ngushtë që e quan qeveri të vogël. Kryeministri është kujdesur të shkatërrojë edhe debatin për programin duke mos paraqitur një program qeverisës mtë mirëfilltë me parimin si të mos flasim për diçka që nuk ekziston. Pavarëisht pozicionit tonë opozitar do të donim të diskutonim mbi një program të mirëstudiuar. Ne nuk jemi në politikë për të dashur apo shkatërruar punën e mirë të kundërshtarëve tanë. Edhe këtë fletëpalosje e pamë me kujdes. Si mund të krenohet kjo qeveri me një rritje ekonomike bombastike kur të ardhurat në xhepat e qytetarëve shqiptarë janë si 10 vjet më parë? E vërteta është që rritja ekonomike në këto vite ka qenë më pak se inflacioni, thënë ndryshe shqiptarët janë varfëruar. Shqiptarët blejnë më pak sepse paraja ka rënë”,deklaroi Kryemadhi.

Ajo tha më tej se në fund të mandatit të ardhshëm kryeministri nuk ka asnjë argument bindës se cili do jetë burimi i kësaj rritjeje ekonomike duke kritikuar ashpër reformat e qeverisë, nisur nga ajo energjetike, ku u shpreh se qytetarët e thjeshtë u futën në burg e morën kredi për të shlyer detyrimet, ndërsa të pasurit e zgjidhën me një telefonatë.

“Kryeministri nëse i ka mbetur pranë ndonjë ekonomist, duhet t’ia kujtojë se rritja ekonomike në 2008 ka qenë 8% e GDP-së. Reforma është fjala që është keqpërdorur më shumë në këto vite. Administrata tatimore nxori dhjam nga pleshti, duke shtypur më të varfrit”, tha Kryemadhi.

Article Logic
Execution time: 0.003413200378418