Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, një ditë para protestës opozitare, i ka bërë thirrje shqiptarëve nga Kamza të bashkohen në protestë.
Kryemadhi nuk ka kursyer as mesazhet për kryeministrin Edi Rama, për të cilin ka thënë se është në ikje, por këtë herë kryetarja e LSI-së ndryshe nga gjuha e ashpër ka zgjedhur të lutet për Ramën.
Kryemadhi tha se Rama e ka problem që ajo beson në Zot. “Unë besoj, më shumë se ç’duhet të besojë një besimtar, dy apo tre herë më shumë”, u shpreh Kryemadhi duke shtuar se është lutur edhe për Edi Ramën, që t’i shpëtojë shpirti nga mëkatet që bën.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit:
Nesër është dita vendimtare, dita vendimtare për t’i treguar të keqes që ne jemi shumë. Edi Rama është në ikje, do iki një orë e më përpara. Jo vetëm që është në ikje, por Edi Rama do iki me një mallkim mbrapa tij. Më lejoni që sot nga Kamza, që sot është një qytet tjetër, pse dua t’ia jap mesazhin këtu, sepse këtu ka shumë njerëz që vijnë nga qytete dhe besime të ndryshme.
Kam disa herë që nuk e dëgjoj, por që më thonë se Edi Rama e paska problem të madh që unë besoj në zot. Unë besoj, shumë më shumë se ç’duhet të besojë një besimtar, dy apo tre fish më shumë. Të shpaguaj gjithë atë mëkat që bën prindërit e Edi Ramës me shkatërrimin e kishave dhe xhamiave në Shqipëri. Lutem për Edi Ramën, t’i shpëtojë shpirti për ato që bën. Do të lutem në zot që të na kthejë besimin se besimi në zot sjell paqe dhe begati. Nëse do të duam të ndërtojmë besimin jo mbi grabitjen e pronës, por te vlerat, morali, dashuria.
Le të iki Edi Rama nga ka ardhur, ne do të bëhemi anëtarë të BE-së. Zoti ju rujt ju, zoti e bekoftë Shqipërinë.