INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Moratorium gjuetisë deri në 2021

Moratorium gjuetisë deri në 2021

Publikuar më: 21:05 09-03-2017

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e gjuetarëve për të shpallur të pavlefshëm moratoriumin e pyjeve duke lënë në fuqi vendimin. Mësohet se Kushtetuesja zhvilloi dy seanca lidhur me këtë kërkesë dhe ka lënë në fuqi vendimin edhe për 5 vitet e ardhshme.

Sipas gjuetarëve ky është një vendim kolektiv dhe se atyre po i'u mohohet e drejta për të ushtruar sportin. Gjuetarët kanë paralajmëruar se këtë çështje do ta çojnë deri në Strasburg.

Gjatë shekullit XX në vendin tonë, 4 specie gjitarësh janë zhdukur dhe ndërkohë 17 specie shpendësh nuk folezojnë më në teritorin e vendit. Vetëm në 25 vitet e fundit rreth 122 specie vertebrorësh kanë humbur më shumë se 50% të popullatës së tyre dhe rreziku që këto specie të shkojnë drejt zhdukjes është ende i lartë. Ndërkohë që pyjet që shërbejnë si “shtëpi” për faunën e egër, nga viti 2000 – 2014, janë reduktuar me 32.000 hektarë më pak.

Nëse do të vazhdohej me këto ritme atëherë situata e faunës së egër do të kishte shkuar në minimumin e mbijetesës së llojeve. Organizatat mjedisore Shqiptare PPNEA, ASPMB dhe AOS sëbashku me simotrat ndërkombëtare Euronatur dhe BridLife, lobuan fuqishëm për të përmirësuar situatën e faunës së egër. Si pasojë e gjendjes kritike dhe presionit në rritje të grupeve mjedisore, u vendos ndalimi absolut i gjuetisë përmes miratimit të ligjit nr.7/2014, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” për 2 vite, në periudhën 2014 - 2016. Por moratoriumi 2-vjeçar tregoi se koha për rigjenerimin e popullatave ishte e pamjaftueshme dhe ndërkohë reformat ligjore për të rregulluar gjuetinë nuk mund të kryheshin brenda këtij afati. Në këto kushte përmes Ligjit nr. 61/2016 u vendos që afati i moratoriumit të shtyhej me 5 vjet për periudhën 2016 -2021. Shtyrja e afatit mund të lejojë një rigjenerim të pjesshëm të popullatave të llojeve me një jetëgjatësi të lartë dhe cikël biologjik kompleks. Ky moratorium është në linjë me moratoriumin e pyjeve dhe sëbashku janë tepër të domosdoshëm për rimëkëmbjen e faunës së egër dhe mbrojten e habitateve të tyre në Shqipëri.

Megjithëse masat ligjore në fuqi janë shumë të nevojshme për mbijetesën e llojeve të vçanta dhe rimëkëmbjen e popullatqave të faunës në përgjithësi, grupet e interesit në favor të gjuetisë kanë kërkuar shfuqizimin e moratoriumit pranë Gjykatës Kushtetuese. Argumenti kryesor për shfuqizimin e këtij moratoriumi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është mohimi i të drejtës së gjuetisë si dhe minimizimi i aktiviteti ekonomik në shit-blerjen e materialeve të gjuetisë. Në shqyrtim të kësaj kërkese, më datë 07/03/2017, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë zhvilloi seancën gjyqsore. Në gjykatë u paraqitën si palë e interesuar, grupimi i organizatave mjedisore që përfaqësohej nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata për Mbrojtjen e Gjitarëve dhe Shpendëve (ASPBM).

Gjatë seancës gjyqsore organizatat mjedisore argumentuan shkencërisht se llojet e faunës së egër jetojnë në mënyrë të ndërvarur nga njëra tjetra dhe nuk mund të diskriminohen si specie objekt gjuetie ose jo dhe në këtë prizëm shteti duhet ti garantojë të gjitha llojeve shance të barabarta mbijetese. Në fjalën e tij, ndërmjet shumë argumentave Kryetari i PPNEA, tha: - “Kafshët e egra janë pasuri kombëtare, janë pronë e të gjithëve dhe jo vetëm e një grupi të caktuar të shoqërisë. Situata e gjendjes së kafshëve të egra në Shqipëri është kritike dhe në situata kritike kërkohen masa drastike. Në këtë kontekst ne e shikojmë të nevojshëm këtë moratorium për t’i dhënë paqe natyrës në mënyrë që ajo të rigjenerohet. Nga ana tjetër, kjo periudhë do ti shërbejë edhe njerëzve, që të vetë organizohen.”

Përpos argumentave të natyrës shkencore grupimi i organizatave mjedisore theksoi se ka pasur një pamundësi të organeve përkatëse gjatë moratoriumit të kaluar për të kryer nje kontroll efektiv të fenomenit të gjuetisë së paligjshme, lidhur kjo edhe me mungesën e kapaciteteve vepruese të organeve shtetërore në parandalimin në burim të kësaj gjuetie. Në këtë kuadër kryetari i ASPBM, tha: - Në bazë të ligjit ekzistues për gjuetinë, ekzistojnë shumë faktorë që e bëjnë të pamundur zbatimin e atij ligji në këto kushte. Së pari nuk ekzistojnë monitorime apo inventare të plotë të faunës që gjuhet, sepse ligji thotë se vetëm 10% e shtesës natyrore mund të gjuhet. Sot, kjo e dhënë nuk ekziston dhe është një e dhënë shumë e vështirë për t’u grumbulluar. Në gjykimin tonë do të duhen te duhet minimalisht 3 vjet të punohet specifikisht për këtë, madje të huazohen edhe ekspertë nga Federata e Gjuetareve që të kryehet një inventar për herë të parë në Shqipëri”.

Në përfundim të seancës, trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin dhe në datën 09.03.2017, Gjykata Kushtetuese është shprehur në formë të arsyetuar me rrëzimin e kërkesës, duke lënë në fuqi Ligjin për moratoriumin. Grupimi mjedisor përgëzon këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese në të mirë të interesit të përgjithshëm publik, ruajtjes së llojeve të kafshëve që janë një pasuri kombëtare dhe në disa raste edhe ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha një vendim në interes të së ardhmes dhe trashëgimnisë që do tu lemë brezave.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:http://www.gjk.gov.al/web/NJOFTIM_P_R_MEDIAN_1419_1-94.php

Article Logic
Execution time: 0.0038599967956543