Ministri Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj është përplasur me analistin dhe pedagogun Mark Marku në emisionin "Opinion", në Tv Klan.
I pyetur për reagimin e ambasadës amerikane, e cila thekson se ata që kundërshtojnë zgjedhjet të presin Gjykatën Kushtetuese, Cakaj tha:
"Tek çështja e gjykatës është një situatë tjetër, reagimi i SHBA është se zgjedhjet e 30 qershorit njihen, po ashtu dhe reagimi i BE është se zgjedhjet pranohen dhe autoritetet duhet të ushtrojnë kompetencat.
Pluralizmi politik nuk nënkupton pjesëmarrje aktuale të grupeve politike në zgjedhje, por garantimin e të gjitha mundësive që subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje”.
Mirëpo, kjo deklaratë e tij ka sjellë reagimin e Mark Markut, i cili iu drejtua Cakajt duke i thënë se është duke recituar.
Debati:
Mark Marku: S’ke turp… mos më ngre nervat! Po ta lesh me recitu atë.., ai po reciton, po ngatërrohet me të. Zotëri ty nuk të njoh fare as si ministër as si shtet unë ty. Unë nuk njoh asnjë ministër të këtij shteti as kryeministrin pas kësaj që ka ndodh. Asnjë taks nuk do paguajë.
Gent Cakaj: Manifestimi arrogant dhe ofendimet qëndrojnë në proporcion të njëjtë me nivelin e inteligjencës. Zgjedhjet janë mbajtur me 39 subjekte pjesëmarrëse në zgjedhje.
Mark Marku: Po ik ore… E kupton që po flet fjalë pa kuptim.
Gent Cakaj: Nëse Gjykata Kushtetuese vendos ndryshe do ketë respektim absolut të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.