Si dikur që çonin letra, sot pëllumbat po futin drogë në burg. Të paktën ky është një dyshim i fortë që punonjësit e sigurisë të burgut të Lezhës, kanë ngritur pasi kanë mbetur të befasuar, kur në këmbët e një pëllumbi që kishte ngecur në dritaren e qelisë së një të dënuari për vrasje, gjetën të lidhur një sasi droge.
Gazetarja Klodiana Lala ka sjellë këtë dëshmi:
“Ishte data 16 gusht, ora shënonte 15:39 minuta, kur forcat e policisë kapën pëllumbin korrier droge. Oficerët kuptuan se pavarësisht përpjekjeve të tyre për të garantuar rend dhe siguri në këto institucione, ishin sfiduar nga të dënuarit. Personat në konflikt me ligjin, kishin mundur që përmes kësaj mënyre të re, të padëgjuar më parë, të shmangnin kontrollet e rrepta të sigurisë dhe të siguronin drogë e celularë ne ambientet e vuajtjes së dënimit.
Rasti i shënuar në burgun e Lezhës më shumë se një muaj më parë, nuk ishte i vetmi.
Më herët, konkretisht në 17 maj 2016, ora 16:00 në ambientet e jashtme të burgut të Lushnjës, forcat e sigurisë, kishin pikasur një tjetër pëllumb në këmbët e të cilit ishin lidhur dy celulare.
Shpendi nuk arriti të shkonte tek i zoti, pasi nga pesha e celularëve, kishte rënë përtokë.
Dy pëllumbat e kapur, i janë dorëzuar tashmë policisë në cilësinë e provës materiale dhe ndaj të dënuarve që tentuan të fusnin drogën dhe celularët në qeli, është hapur hetim nga prokuroria.”