Moti i keq me temperatura nën zero dhe reshje dëbore kanë ‘mbërthyer’ prej disa ditësh një pjesë të madhe të vendit, kryesisht zonat veriore dhe ato juglindore. Raportohet se disa fshatra në zonën e Dibrës qëndrojnë prej 10 ditësh të bllokuar nga bora, ndërsa rrugët rurale janë të bllokuara. Mësohet se rreth 115 familje në Ternovë të Madhe dhe Terrnovë të Vogël që prej 10 ditësh janë të bllokuara. Edhe në qarkun e Korçës dhe të Elbasanit disa rrugë janë bllokuar nga bora. Probleme ka edhe në Pogradec, ku prej disa ditësh zona e Mokrës është e izoluar nga bora. Dhjetra banorë qendrojnë të bllokuar për shkak të trashësisë së borës mbi 90 cm. Banorët kërkojne ndihmë dhe ndërhyrje nga shteti. Temperaturat gjatë natës në qarkun e Dibrës kanë shënuar -12 gradë, ndërsa trashësia e dëborës është 70 cm. Mes të tjerash bëhet e ditur se aksi nacional Peshkopi-Tiranë në disa segmente kalohet me vështirësi pasi është prezenca e akullit në rrugë. Në zonat ku ka problem për shkak të dëborës ka pasur edhe mungesë të energjisë elektrike.