INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
''Moti i Madh'' ekspozita për nder të Skënderbeut

''Moti i Madh'' ekspozita për nder të Skënderbeut

Publikuar më: 15:28 17-01-2018

Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar çel ekspozitën me titull “Moti i Madh”. Në këtë ekspozitë vizitorët do të  njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

“Kjo ekspozitë përmban disa elemente kryesore të cilët neve I kemi kuruar në mënyrë të tillë që publiku shqiptar ta ndjejë sa më afër frymën e epokës së Skënderbeut. Në qendër të kësaj ekspozite është kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Gjithashtu në ekspozitë janë dhe disa objekte të tjera të cilat janë të pakta por që janë shpata apo dhe topuze që datojnë në shekullin e xv” –  tha drejtori Dorian Koçi në intervistën për In Tv.

Ekspozita “Moti i Madh” është si një kujtim e si një shenjë e bashkësisë arbëreshe që nëpërmjet traditës së vet dhe letërsisë së shkruar e mbajti të pashuar zjarrin e viteve të Skënderbeut për ta ringjallur ashtu si Feniksi në memorien dhe kujtesën kolektive të mbarë shqiptarëve.

“Ideja për realizimin e kësaj ekspozite nisi me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut,duke qenë se qeveria e ka shpallur këtë vit si  viti jubilar i Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar si pjesë e detyrës së tij funksionale vendosi që të hapi siparin e aktiviteteve për Gjergj Kastrioti Skënderbeu pikërisht me këtë aktivitet të rëndësishëm siç është kjo ekspozitë” – shtoi më tej drejtori Koçi.

Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitoret e tij legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.

Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmat për Skënderbeun pasurojnë ekspozitën “Moti i Madh” gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

f12c3dec-f77d-4648-acb4-f686b0577be1.jpg7e76bea4-277d-4cca-bea0-d8010394fd51.jpg39aa6312-379c-40f9-99e5-b74ac68d3c7b.jpgc7192fc5-3cb9-4fbc-88c5-bcd10bbf40e7.jpg7679718a-ff53-481a-904d-ca5f1b3e69c2.jpgabe1679c-0851-4ef5-984b-c7d83b279256.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0038390159606934