INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Moxhi nuk ka të “ngopur”, një sulmues nga Anglia për Partizanin

Moxhi nuk ka të “ngopur”, një sulmues nga Anglia për Partizanin

Publikuar më: 11:01 07-08-2017

Partizani vazhdon të jetë shumë aktiv në këtë merkato vere. Klubi i kuq ka zyrtarizuar deri tani nëntë afrime, në një kohë që pritet të realizohen të tjera deri më 31 gusht kur mbyllet zyrtarisht merkato e verës. Një tjetër emër zbulohet si afrim te Partizani. Bëhet fjalë për një lojtar shqiptar që është rritur në Greqi, në një kohë që së fundmi ka luajtur në Angli.

Kristo Merko është futbollisti më i ri që mësohet se ka arritur akordin me klubin e kuq. Mesfushori i krahut të djathtë është 26 vjeç dhe është rritur te Ksanthi në Greqi. Përveç këtij klubi, Merko ka provuar edhe disa skuadra të tjera në vendin fqinj. Më pas, është transferuar në Angli. Së fundmi, ka luajtur në ligën e dytë angleze me Boreham Vood.

Merko ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U-21. Njihet për cilësitë e tij të mira dhe një futbollist shumë i shpejtë. Burimet pranë klubit bëjnë të ditur se lojtari ka mbërritur dje në mesnatë në Shqipëri. Të njëjta burime kanë bërë të ditur se futbollisti ka akord me klubin, por gjithsesi do të shihet forma e tij përpara se të zyrtarizohet nga Partizani.

Drejtuesit e kuq synojnë të krijojnë një ekip cilësor për kampionatin e ardhshëm ku objektiv kryesor është titulli kampion. “Demat” nuk fitojnë një kampionat që prej 1993. Dhe presidenti Gaz Demi kërkon me ngulm një trofe të tillë për të kënaqur edhe mijëra tifozët që ka skuadra.

Article Logic
Execution time: 0.0031590461730957