INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Na vjen keq t’ju themi, por këto janë taksat e reja që do paguani në 2018-ën

Na vjen keq t’ju themi, por këto janë taksat e reja që do paguani në 2018-ën

Publikuar më: 19:21 01-01-2018

Shqiptarët e nisin ditën e sotme me numërimin pas për 25 milionë euro që do të dalin nga xhepat e tyre përgjatë gjithë vitit 2018 si taksa shtesë me paketën e fundit fiskale, ku peshën më të madhe do ta zërë taksa e rritur e pronës.
Paketa fiskale u shoqërua me debate të gjata, por mes bilancit qytetarët apo biznesi, barra bie mbi të parët, të dytët në disa sektorë si turizmi, teknologjia e informacionit morën lehtësime të shumta. Ndryshe ndodh për biznesin e vogël, që do të hyjë në skemën e TVSH-së nëse e kalon xhiron prej 2 milionë lekë në vit.
Por cilat janë taksat e reja që do të paguajnë qytetarët?
Taksat e ndërtesës
Në faturën e dritave nuk do të paguhet vetëm energjia. Taksa e ndërtesës do të jetë e përfshirë në të këtë faturë në kuadër të reformimit të saj ku baza e llogaritjes dhe formula kanë ndryshuar. Duke filluar nga 1 prilli, shkalla e taksës mbi ndërtesat, aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike.
Në vitin 2018, qytetarët do të paguajnë 21 milionë euro më shumë taksë prone. Në projektbuxhetin e vitit 2018, Ministria e Financave parashikon që të ardhurat totale nga taksa e pronës të jenë 8.1 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 54% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Ndërsa në 2019-n, kur kjo taksë do të vilet e plotë gjatë gjithë vitit dhe kadastra do të jetë më e plotë, pritet që qytetarët dhe bizneset të paguajnë 8.7 miliardë lekë, për t’u rritur në 9.4 miliardë lekë në 2020-n, pra gati dyfishi i asaj që paguajnë sot.

Barra më e lartë e taksës së pronës do të jetë për banorët e kryeqytetit. Buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin 2018 parashikon që të ardhurat nga taksa e pronës do të arrijnë 2.5 miliardë lekë, ose sa 31% e totalit të taksës së pronës që pritet të mblidhet në gjithë vendin. Familjet në kryeqytet do të paguajnë në 2018-n rreth 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit. Në 2019-n, pagesa e familjarëve për taksën e pronës pritet të rritet edhe më tej, duke arritur në 850 milionë lekë (6.2 milionë euro), ose gati 4 herë më shumë se shuma që pritet të paguhet në vitin 2017.

Këtë taksë do ta paguajnë tashmë dhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit në draft kjo kategori do të paguajë 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Nga kjo taksë përjashtohen disa kategori të konsideruara si vulnerabël por jo vetëm. Edhe hotelet me 5 yje që kanë status special nuk do ta paguajë .

Tatimfitimi, zero tek turizmi dhe 5% tek IT

Hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10- vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Sipas ligjit përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Për të gjithë ata që ushtojnë aktivitet në prodhim dhe zhvillim të softëearve tatimfitimi do të jetë 5%. Efekti negativ në buxhet llogaritet 93 milionë lekë.

Biznesi i vogël me TVSH nga 1 prilli

Duke filluar nga 1 prilli, ulet pragu I bizneseve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Kjo ishte një lëvizje e kundërshtuar nga ekspertët dhe FMN-së, por qeveria u tërhoq vetëm nga plani për ta futur atë nga zero, duke ulur kufirin në 2 milionë lekë. Pritet që gjatë muajve të parë të vitit të dalin dhe udhëzimet si do të bëhet deklarimi, që pritet të jetë një herë në tre muaj.

Akiciza tek cigaret e ndryshime dhe tek furnizimi

Për një kategori të veçantë cigaresh të njohur si cigarillo nga sot nis aplikimi i një niveli të ri akcize. Këto të fundit janë cigare të mbështjella me duhan apo të njohura rëndom si “puro” Konkretisht, niveli i ri i akcizës së cigareve, u rrit nga 5750 lekë/1000 copë që ishte, në 5850 lekë/1000 copë. Efekti pozitiv në buxhet llogaritet 1 miliardë lekë. Paralelisht me këtë tatimet kanë bërë me dije se ka ndryshime edhe tek pjesa që lidhet me furnizimin e cigareve. Në një udhëzim të veccantë është sqaruar me hollësi procedura e furnizimit dhe faturimit të të gjitha hallkave që nga furnizuesi kryesor deri te njësia e shitjes me pakicë të cigareve.

Në krahasim me udhëzimin e mëparshëm, ngarkohen të gjitha hallkat e rrjetit të furnizimit të cigareve për të deklaruar inventarin gjendje (stoku) brenda 5(pesë) ditëve punë nga aplikimi i çmimit të ri, me qëllim llogaritjen dhe pagesën e TVSH-së sipas çmimit të ri;

Taksa për makinat e luksit

Nga sot ndryshon edhe koncepti për makinat e luksit. Në ndryshimet e bëra në ligjin “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, ka pësuar ndryshim trajtimi i atyre që quhen mjete luksi, ku për efekte takse, “Automjet luksoz” konsiderohen autoveturat deri 6+1. (neni 2, pika 5) si dhe ka pësuar një ndryshim neni 11 “Tarifa shërbimi”, gërma ç) ku janë hequr tarifat për shërbime gjyqësore, pasi ato do të reflektohen në një ligj të veçantë, duke parashikuar që fusha e zbatimit të këtij ligji të shtrihet mbi tarifat për veprime e shërbime të administratës së Ministrisë së Drejtësisë, prokurorisë dhe noterisë (ndryshim, i cili do hyjë në fuqi më 1 Qershor 2018).

Ndryshimet tek TVSH (hotelet me 5 yje dhe biznesi i vogël)

Ligji “Për tatimin mbi Vlerën e Shtuar” këtë vit sjell një nivel të ri zbatimi ku së pari vendosjen e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnzimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Deri dje ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.

Taksa e infrastrukturës

“Thesi” i lehtësive të qeverisë për investitorët me status special ka rezervuar ndryshime edhe tek taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje taksa e infrastrukturës do të jetë zero ndërkohe që normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%.

Përjashtimet doganore

Nga sot janë të paktën 60 produkte dhe kode të veccanta doganore që që i përkasin fushës së teknologjisë dhe inovacionit që u zerohet tarifa doganore. Në listën e produkteve hyjnë, mes të tjerave, pllaka për filmat kinematografikë, kasat, makina që kryejnë më shumë se dy funksione printimi, kopjimi, transmetim fakti, anijet e hapësirës (përfshi satelitët) dhe mjetet që lëshojnë anije në hapësirë dhe mjetet suborbitale, si dhe aeroplanët për stërvitje mësimore tokë dhe pjesët e tyre.

Taksa e re e tabelës

Bizneset duhet të rishikojnë edhe një herë kategorinë e tabelës që kanë në përdorim për qëllim identifikimi. Sipas ligjit në fuqi janë katër ndarje ku e para është “tabela për qëllime identifikimi, të trupëzuara, ose jo brenda territorit, ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri/ose aktiviteti i biznesit)”.

Pikërisht këtu është edhe risia ku kjo kategori ka të paktën pesë nënndarje të tjera. Edhe me këtë skemë për një tabelë deri në 2 metër katror biznesi paguan zero taksë por rritje progresive të saj ka edhe rritje të çmimit. Nga ana tjetër ka edhe një ndarje sipas llojit : e thjeshtë, e thjeshtë me ndriçim dhe elektronike.

Me kategorizimin e ri për një tabelë të thjeshtë (pa ndriçim) 2 m2 deri në 10 m2 taksa në Bashkinë Tiranë dhe Durrës është 15 mijë lekë m2. Për Bashkinë Shkodër dhe gjithë ato të renditura në kategorinë 2 taksa vjetore është 10 mijë lekë m2/vit.

Shembull: Një biznes në Tiranë ka të vendosur një tabelë të thjeshtë pa ndriçim e cila është 15 metra katror. Shuma e taksës që ky biznes do të paguajë është(10 m2 x 15 000 lekë) + (5m2 x 12 750 lekë) = 150 000+63 750= 213 750 lekë në vit ose (17 812 lekë/muaj). E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për sipërfaqet e tabelave mbi 20 m2 dhe mbi 40 m2.

Kategoria e dytë e tabelave janë “tabelat për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet aktiviteti në formën e përmasat e tabelave të sinjalistikës për orientim”. Kjo tabelë duket se taksa e saj është 120 lekë metër/katror.

Në kategorinë e tretë janë tabela për qëllime reklamimi e lëvizshme dhe e palëvizshme, në atë të katërt tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola./Monitor.al

Article Logic
Execution time: 0.00376296043396