Napoli nuk lëshon terren duke iu kundërpërgjigjur Juventusit me një fitore të arritur në transfertën e Palermos. Të kaltërit dominuan siçilianët në 90 minutëshin e luajtur në “Renzo Barbera” ku triumfuan me rezultatin 1-0 për të regjistruar tre pikët e radhës që i mbajnë në garën e betejës së titullit me vetëm 3 pikë më pak se bardhezinjtë.
Napoli e nisi ndeshjen në sulm por golin e parë e gjeti në minutën e 23 me një penallti të ekzekutuar saktësisht nga Higuain.
Gjatë fraksionit të dytë, Napoli e rriti edhe më shumë presionin në kërkim të golit të dytë por Insigne dhe Higuain nuk arritën të kalonin kuadratin e mbrojtur nga Sorrentino.
Me këtë fitore Napoli ka 64 pikë në vendin e dytë, tre më pak se Juventusi që ka vendin e parë.
Në takimin tjetër, Lazio kaloi 2-0 Atalantan me dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga Miroslav Klose, i cili rikthehet te goli pas 17 javëve në kampionat.