Presidenti amerikan tha në fjalimin e mbajtur në Montana se do të shkojë në takim, "për t' i thënë NATO-s: ‘Ju duhet të filloni të paguani faturat tuaja. Shtetet e Bashkuara nuk do të kujdesen për çdo gjë!''
Masa e njerëzve shpërtheu në duartrokitje kur Trump iu kthye temës së preferuar, shpenzimeve të ulta të Gjermanisë për çështjet e mbrojtjes dhe kryesueses së saj, kancelares Angela Merkel. Trump tha se i ka thënë Angelës se ai nuk mund të garantojë mbrojtjen e mëtejshme dhe nuk e di sa e mbrojmë ne veten duke ju mbrojtur juve.
Kjo godet një nga rregullat e aleancës ushtarake, të shprehur në artikullin V të saj, për mbrojtjen e ndërsjelltë të njeri- tjetrit dhe rrezikon shpresat e NATO-s për të organizuar një samit të dirigjuar mirë më 11 dhe 12 korrik, ditën e inagurimit të selisë së re. Ajo që mund të quhet "sukses" sot është të mos ketë dështim diplomatik si ai që ndodhi në takimin e G7 në fillim të qershorit, ku Trump refuzoi të firmoste deklaratën përfundimtare dhe e quajti kryeministrin kanadez Justin Trudeau "të pasinqertë" dhe u kap në një fotografi që u shpërnda menjëherë dhe u bë virale në rrjetet sociale.