INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndahet nga jeta Adem Demaçi, politikanët shqiptarë shprehin ngushëllimet e tyre: Prehu në paqe baca Adem!

Ndahet nga jeta Adem Demaçi, politikanët shqiptarë shprehin ngushëllimet e tyre: Prehu në paqe baca Adem!

Publikuar më: 19:41 26-07-2018

Është ndarë sot nga jeta politikani, aktivisti për të drejtat e njeriut, gazetari e shkrimtari dhe laureat i çmimit "Saharov", Adem Demaçi. Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. "Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë, por vepra e tij do të lartësohet e të kujtohet për sa të ketë jetë", është shprehur Haliti.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Adem Demaçit, veprimtar për të drejtat e njeriut.

“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, Mandelës së Kosovës. Sot gjithë kombi mban zi, sepse humbi një ndër njerëzit që me sakrificën, fisnikërinë dhe mendimin e tyre përbëjnë shtylla që mbajnë peshën e krenarisë kombëtare.

Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Demaçi, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe gjithë popullit të Kosovës, për këtë humbje të madhe.

Adem Demaçi si një ndër simbolet e qëndresës kombëtare, mbetet përherë në kujtesën e kombit që përkulet me mirënjohje të thellë para sakrificës dhe kontributit të tij të pavdekshëm për Kosovën”, shkruan kreu i PD në “Facebook”.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Adem Demaçi. Në një mesazh ngushëllimi, kreu i shteti shprehet se kombi ka humbur sot atdhetarin e flaktë dhe simbolin e qëndresës shqiptare.

Mesazhi i kreut të shtetit, Ilir Meta:

Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi.

Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri dhe të një prej personaliteteve më të vlerësuara në arenën botërore.

Duke u nderuar me çmimin “Sakharov” nga Parlamenti Evropian, kauza e madhe e luftës për një Kosovë të lirë fitoi përmasat e një çështjeje ndërkombëtare të shtruar për zgjidhje.

Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës.

Sot humbëm atdhetarin e flaktë, njeriun që mbajti gjallë shpresën e së ardhmes dhe idealin e pavarësisë së Kosovës.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!”.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Adem Demaçin, i cili ndërroi jetë sot.

“Prehu në paqe Baca Adem!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd”, thuhet në shkrimin e kryeministrit.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas lajmit se ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare dhe i burgosuri politik, Adem Demaçi.
Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë”, ka shkruar Rama.

“Pas një jete prej stuhie pambarim, ai u tret ngadalë e iku si zotnia që i tha të gjitha #RESPEKT”, përfundon shkrimi i Ramës.

Article Logic
Execution time: 0.0045208930969238