Artistja e njohur shqiptare Vitore Sallaku është ndarë sot nga jeta. Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Sallaku ishte një nga themelueset e Cirkut shqiptar.
Që në moshën 11 vjeçare ka qenë pjesë e trupës së cirkut duke dhënë kontribut të madh brenda e jashtë vendit. Pas shkëputjes nga skena, ajo ishte ndër pedagoget e para të studios së cirkut.
Vitore Sallaku Rasha mban titullin e lartë Mjeshtre e Madhe.
Ajo lindi në Tiranë. Përfundoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja” më pas vijoi studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë.
Është një nga akrobatet më të spikatura të arenës së cirkut që për më shumë se 35 vjet i dha skenës numra të paarritshme.
Vitore Sallaku ishte bashkëshortja e artistit të madh shqiptar, Skënder Sallakut.