Është ndarë nga jeta në moshën 55- vjeçare gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku.
Lajmin e ndarjes nga jeta në moshë të re e shpërndanë miqtë dhe kolegët e tij në rrjetet sociale.
Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Luftën e përditshme me të ai e humbi sot.
Baxhaku ishte një prej gazetarëve më të njohur në vend duke punuar për vite me radhë nëpër media si drejtues dhe gazetar. Ai ka edukuar dhe gazetarët e rinj pasi ka dhënë dhe kontributin e tij si pedagog.
Fatos Baxhaku do të kujtohet si autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, si studiues i historisë dhe si një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar.
Fatos Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Vitet e para të shkollës i kreu në shkollat 8-vjeçare, Emin Duraku dhe " 20 Vjetori".
Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin "Ismail Qemali". Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori.
Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Më pas ka vijuar karrierën e tij si gazetar por edhe si drejtues mediash qoftë në shtyp të shkruar, por edhe në ato vizive.
INTV i shpreh familjes ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur.