INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndahet nga jeta John McCain. Senatori i njohur si luftëtari i së drejtës,i ndjeshëm dhe për çështjet e Ballkanit

Ndahet nga jeta John McCain. Senatori i njohur si luftëtari i së drejtës,i ndjeshëm dhe për çështjet e Ballkanit

Publikuar më: 07:17 26-08-2018

Senatori John McCain, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq dje në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me glioblastoma, një lloj kanceri i trurit. Në kujtimet e tij të botuara në muajin maj, McCain shkruante se i vinte keq që po ndahej nga bota, por nuk kishte ankesa.
"Krijova një vend të vogël për veten në tregimin e Amerikës dhe në historinë e kohëve të mia", shkruante ai.
Në sytë e shumë amerikanëve McCain ishte një hero lufte dhe një patriot. Ai përfaqësoi shtetin e Arizonës në Senat dhe u bë i njohur si një luftëtar i së drejtës, pa marrë parasysh se cilin krah politik përfaqësonte ajo.
John McCain u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1982 dhe në Senat në 1986. Ai ishte një politikan konservator në shumicën e çështjeve dhe u përpoq sidomos për reformën e financimit të fushatave dhe për çështjen e amerikanëve që rezultonin të zhdukur në Vietnam. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 ai u përball me kandidatin demokrat Barak Obama dhe humbi. Megjithatë ai vazhdoi të shërbejë në senatin amerikan. Zoti McCain tregoi mjaft interesim për çështjet e Ballkanit dhe e ka vizituar disa herë rajonin. Në prill 2017, gjatë një vizite në Kosovë, ai kujtoi përpjekjet e bëra në rrugën e Kosovës për të arritur tek pavarësia.
Në parlamentin e Kosovës ai tha: "Megjithë përparimin që ka bërë Kosova, ende mbeten shumë punë për t'u bërë. Por në këtë punë, ju nuk do të jeni vetëm. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t'ju mbështesin për të përmbushur sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që keni përpara. Nëse më lejoni, si një mik i vjetër që dëshiron ta shohë Kosovën të ketë sukses, do të doja të ndaja me ju shpresat e mia për të ardhmen e ndritur të Kosovës."
Menjëherë pas njoftimit për ndarjen e tij nga jeta, President Donald Trump shprehu me Twitter ngushëllimet e tij:
"Ngushëllimet dhe respektin më të thellë për familjen e Senatorit John McCain. Zemrat dhe lutjet tona janë me ju", shkruante Presidenti Trump.

Article Logic
Execution time: 0.0029439926147461